Lajme

Besnik Bislimi kthehet në Kosovë, vazhdimi i diskutimeve për veriun pritet të bëhet përmes telefonit

09/30/2021 11:49
nga:M K

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak raportohet të ketë vazhduar tashmë takimin me përfaqësuesin e palës serbe në dialog, Petar Petkoviq.

Por sipas raportimeve të deritanishme nga Brukseli tashmë është larguar përfaqësuesi i palës kosovare, zv/kryeministri i vendit, Besnik Bislimi.

Bislimi raportohet të jetë nisur për në Kosovë dhe takimi i tij me Lajçak do të zhvillohet online.

Përpos kësaj, pas diskutimeve që Lajçak do të ketë me të dy përfaqësuesit e shteteve pritet që nga Zyra e Bashkimit Evropian të lëshohet një komunikatë për media në të cilën do të bëhen të ditura detajet shtesë lidhur me zhvillimet e fundit.

Poashtu një video-konferencë është paralajmëruar të mbahet sot nga i dërguari Special për Ballkanin Perëndimor nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, i cili ishte i pranishëm në takimin e djeshëm në Bruksel.

Pas takimeve të cilat u zhvilluan dje ishte pikërisht zv/kryeministri Besnik Bislimi që deklaroi se një marrëveshje për targat është arritur, gjë kjo e cila u mohua më pas nga pala serbe.

Nga Bashkimi Evropian dhe Amerika mbrëmë u theksua se diskutimet janë duke vazhduar deri në gjetjen e një zgjidhje adekuate për krizën në veri të vendit.