Cult

Besnik Bekteshi promovon librin “Housekeeping & Spa”, paraqiten trendet e fundit në hoteleri

10/13/2022 16:29
nga:G B

Libri “Housekeeping & Spa”, i autorit Besnik Bekteshi është promovuar të enjten në Prishtinë.

Recensenti Hysen Sogojeva tha se libri paraqet trendet e fundit në hoteleri dhe do të jetë në shërbim të të gjithë profesionistëve të fushës.

Sipas tij, libri u përshtatet praktikave më të mira ndërkombëtare, ndërsa një pjesë e librit i kushtohet edhe Kosovës.

“Turizmi është ndër elementet thelbësor të një shteti. Sfida kryesore duhet të jetë shërbimi i produkteve turistike. Për këtë arsye libri ka për qëllim t’i japë kornizë të fuqishme mbi hotelerinë, duke iu përshtatur në të gjitha standardet evropiane dhe botërore, ndërsa një pjesë i kushtohet Kosovës”.

“Asnjë tekst i fushës së turizmit dhe hotelierisë nuk mund të ketë fund, sepse avancohet çdo ditë. Autori i librit ka paraqitur trendet e fundit në librin ‘Housekeeping & Spa’ dhe prej sot është në kategorinë e shkencëtarëve. Pjesa e parë lidhet me rolin në cilësinë e hotelerisë, akomodimin, menaxhimin”.

Autori i librit “Housekeeping & Spa”, Besnik Bekteshi, tha se aty ka paraqitur përvojën e tij dyvjeçare të punës në dy nga hotelet më të mëdha në vend.

Për këtë libër ai tha se ka punuar që nga viti 2011, duke shtuar se shpreson t’u ofrojë lexuesve një literaturë të plotësuar për aftësim profesional.

“Se sa i rëndësishëm është e shohim kur vizitojmë hotelet nëpër botë. Shpresoj që kam arritur me modesti t’i ofrojë lexuesit një literaturë të plotësuar për aftësim profesional. Kam filluar punën në vitin 2011. Sot me krenari promovoj librin ‘Housekeping & Spa’. Në këtë libër jam bazuar në përvojë disavjeçare në dy hotele: ‘Swiss Diamonds’ dhe ‘Emerald’”.

“Libri sjellë njohuri për menaxhimin brenda hotelerisë, menaxhimin e departamentit SPA. Qëllimi i hoteleve që ofrojnë akomodim është sigurimi i efikasitetit për klientët. Përgatitja e stafit për të kryer detyrat, dhomat e hotelit, mirëmbajtjen e dhomave”.

Sadik Maqedonci, njohës i hotelerisë dhe turizmit, tha se ky libër do t’u hyjë në punë të gjithë hotelierëve.

“Përgëzoj autorin Besnikun. Ai në këtë libër përveçse ka përfshirë funksionimin e Housekeeping & Spa”.

Sipas tij, ky libër mund të shërbejë për organizimin e trajnimeve në këtë sektor, në mirëmbajten/menaxhimin e hotelit dhe banjat termale. “Besoj që ky libër do t’i hyjë në punë të gjithë hotelierëve”.

Zekë Çeku, ekspert i turizmit, tha se për të ka qenë befasi e këndshme promovimi i këtij libri.

“Nuk e kam pritur që kemi një njeri të përkushtuar që të publikojë një libër shumë domethënës për një segment të hotelerisë. Për mua ka qenë befasi e këndshme”.

“Kjo i përkushtohet pjesës më të rëndësishme punës operacionale dhe Besniku ka përfshirë segmentin Housekeeping & Spa”.