Besim Mulaj, kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për rajonin e Istogut në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” tha se duhet bashkërendim më i madh me Bashkimin Evropian dhe organizma të tjerë, për zhvillimin e Kosovës, në mënyrë që të mos largohen të rinjtë nga vendi.
Mulaj u shpreh se duke qenë se kandidon për herë të parë tha se do ta ndihmojë ‘freskia dhe energjia’ për të kontribuar në ndryshimin pozitiv të gjendjes në Kosovë.
“Si kandidat për herë të parë ndoshta na ndihmon edhe freskia dhe energjia e re. Natyrisht si përvojë që kam jashtëzakonisht të madhe, mbi 20 vjeçare, nëpër institucione në forma të ndryshme si dhe duke patur parasysh edhe arritjet e mia shkollore, gradat akademike, mendoj se do të ndikojmë jashtëzakonisht shumë për një zhvillim të ndryshëm, prosperues, sidomos për djemtë dhe vajzat e reja dhe për femrat në përgjithësi që duhet t’i inkuadrojmë më shumë. Mendoj se tani e tutje duhet të kemi një bashkërëndim më të madh me Bashkimin Evropian dhe me organizma të tjerë që të zhvillojmë Kosovën në mënyrë që të mos na ikin të gjithë këta të rinj, të krijojmë një klimë më të mirë biznesore, kushte më të mira për investime direkte, sidomos investimet e huaja. Duhet t’u ikim këtyre burokracive që janë jashtëzakonisht të mëdhaja në mënyrë që të kemi investime, t’a rritim eksportin dhe t’a zvogëlojmë importin” tha Mulaj për “Gazeta Blic”.
Ai renditi disa nga prioritet e tij për komunën e Istogut.
“Edhe Istogu por edhe të gjitha komunat e tjera, kanë probleme edhe sfida. Qeveria komunale në Istog, mund të them me plot përgjegjësi se ka punu jashtëzakonisht mirë.Por në projekte madhore siç janë infrastruktura rrugore për ndërlidhjen me komuna të tjera, mandej kemi infrastrukturën për zhvillimin e turizmit malor që është jashtëzakonisht i mirë në Istog dhe ka një pamje piktoreske…. do të ndikojmë jashtëzakonisht shumë që me i thith këto burime dhe me i dërgua atje, por jo vetëm në Istog por edhe në Rrafshin e Dukagjinit. Unë si piksynim për momentin kam dy rrugë që janë jashtëzakonisht të rëndësishme si arterie, njëra është për ‘Bjeshkët e Korenikut’ si dhe në rrugën për Rugovë ku për momentin është jashtëzakonisht në gjendje të keqe dhe po ndikon direkt në biznesin atje por edhe në zhvillimin e shoqërisë” tha Mulaj në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.