Kandidati me numër 79 për deputet i LDK-së, Besim Mulaj, ka reaguar ndaj Kryeministrit Albin Kurti, ku sipas tij po e sfidon prokurorinë, raporton GazetaBlic.
Mulaj thekson se Kurti ka krijuar një ide të gabuar për përgjegjësinë shtetërore, duke u sjellë si i paprekshëm nga ligji.
Ai thekson se ndarja e pushteteve është një parim themelor i demokracisë dhe se asnjë individ, përfshirë kryeministrin, nuk është mbi ligjin.
Mulaj fton Kurtin të punojë në mënyrë të tillë që të mos ketë nevojë të mbrohet nga prokuroria.
E plotë:
“Kurti vs. Prokuroria: A është Kryeministri mbi Ligjin?”
Kryeministri Kurti po na tregon një anë të re të “përgjegjësisë shtetërore”: të sfidosh prokurorinë! Ndoshta ka menduar se të qenit kryeministër është një privilegj, një zonë e lirë nga përgjegjësitë ligjore. Por historia na tregon ndryshe: pothuajse të gjithë kryeministrat e Ballkanit, që nga koha e rënies së komunizmit, në një moment ose tjetër janë “vizituar” nga prokuroria – disa prej tyre madje kanë kaluar edhe pushimet në burg.
Po, z. Kryeministër, sfidoje prokurorinë, por mos harro një parim bazë të demokracisë: ndarja e pushteteve. Ata kanë punën e tyre dhe ju të tuajën. Për fat të mirë, nuk është “sfida” ajo që përcakton drejtësinë.
Në fund të ditës, të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit, apo jo? Edhe kryeministri – me gjithë privilegjet që ofron posti – nuk është mbi të! Prandaj, z. Kurti, më mirë të punoni që të mos ju duhet të mbroheni. Me sa duket, prokuroria ka kohë për të bërë punën e saj… A keni ju?


