Lajme

Besian Mustafa: Rritja ekonomike e deklaruar nga qeveria është thjesht rritje çmimesh

04/13/2022 00:14
nga:Gazeta Blic

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Besian Mustafa ka thënë se ndarja e 100 eurove nga Qeveria e Kosovës për pothuajse të gjitha kategoritë shoqërore në Kosovë është e pamjaftueshme.

Mustafa tha, në Edicionin Special në Klan Kosova, se rritja ekonomike e qeverisë prej 10 për qind është e barabartë me inflacionin, që sipas raportit të publikuar nga Agjencia e Statistikave, është po ashtu 10 për qind.

Ai theksoi se rritja ekonomike e deklaruar është thjesht rritje çmimesh.

“Raporti i fundit, i cili doli nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, saktësisht sot për muajt mars 2022, krahasuar me muajin mars të vitit 2021, pra për 12 muajt e fundit, tregon që kemi inflacion pra rritje të çmimeve për rrafsh 10 për qind”.

“Është e barabartë me rritjen ekonomike të pashembullt që proklamon kjo qeveri prej 10 për qind për vitin e kaluar. Rritja ekonomike e deklaruar nga kjo qeveri është thjeshtë rritje e çmimeve”.

“Qytetarët e Kosovës, bizneset kosovare, prodhuesit nuk ndiejnë rritje të aktivitetit të tyre ekonomik dhe rritje të të hyrave. Fatkeqësia është që qytetarët nuk kanë ndierë rritje të të hyrave në xhepat e tyre dhe Qeveria e Kosovës ka ndarë nga 100 euro për këtë muaj”.

“Dhe çka do të bëjnë ata në muajt maj, qershor, korrik, gusht e tutje kur çmimet me siguri që do të vazhdojnë të jenë të larta”.