Boksieri shqiptar, Bernardin Jakaj do të rikthehet në ring në muajin mars, ku do ta zhvillojë një meç shumë interesant.
Jakaj do të përballet me boksierin serb, Marko Nikolic me 24 mars në shtetin e Austrisë, në afërsi të Vienës, shkruan GazetaBlic Sport.
Promoteri i boksierit shqiptar, Bernardin Jakaj, Shpëtim Shala ka folur në lidhje me këtë meç, ku tha se edhe e ka organizuar me lehtësi.
“Nuk ka qenë shumë e lehtë pasi që me menaxhmentin e Nikolic kam negociuar edhe vitin e kalum, për meçin e fundit të Bernardinit që e ka zhvillu në nëntor për titullin IBO Continental. Kësaj here kemi arrit marreveshje më lehtë, pasi që kundërshtarit i kemi ofru një honorar mjaft te mirë”, tha fillimisht Shpëtim Shala për ‘GazetaBlic Sport’.
Sipas Shalës, ky meç do të jetë një tregues i vërtetë për formën dhe cilësitë e Bernardin Jakajt, pasi kundërshtari ka bagazh të madh.
“Ky do të jetë një test i vërtetë për Bernardinin. Nikolic ka një bagazh me 30 fitore dhe vetem dy humbje, dhe gjithashtu është ish kampion i dyfishtë WBC Mediterranean. Por unë besoj në aftësitë e Bernardinit dhe mendoj se do të triumfojë”, potencoi ai.
Më pas Shala na njoftoi edhe detajet e organizimit të këtij meçi dhe diçka më shumë nga kundërshtari serb, i cili ka filluar të politizojë takimin. Shala është i bindur se nga ana ynë nuk do të ketë politizim dhe nuk do të bien në provokime, poashtu lut edhe tifozët shqiptarë që të sillen njëjtë.
“Meçi do të zhvillohet me 24 Mars në afërsi të Vienës, vendi quhet Maria Enzersdorf. Do të jetë duel në peshën gjysmë të rëndë që është i paraparë të zgjate 10 raunde! Nikolic është një ultra nacionalist nga Serbia i cili njifet për parullat e tij kundër shtetësisë së Kosovës, dhe gjithashtu me postimet e tij në rrjetet sociale ka fillu me e politizu këtë duel. Ne nuk do të merremi me politikë dhe do ta sqarojmë këtë punë në mënyrë sportive, le të fitojë më i miri! I lus mbështetësit tanë shqiptar që do të jenë në palestër, qe të mos bien pre e provokimeve të Nikolic, ne çdo herë e kemi dëshmu se kemi vlera sportive dhe kësaj here deshiroj ta vërtetojmë prap këtë”, zbuloi Shpëtim Shala.
Në fund, Jakaj tha se pret fitore me nokaut nga boksieri shqiptar, Bernardin Jaka.
“Jakaj është në top formë dhe unë pres fitore me KO në këtë duel”, përfundoi ai.
Kujtojmë se Jakaj në 13 meçet e zhvilluara deri më tani, i ka të gjitha fitore, tetë prej tyre me K.O, teksa nuk njeh humbjen.
/GazetaBlic Sport


