Bernard Berisha, futbollisti kosovar është i bindur se kombëtarja e Kosovës ka potencial dhe lojtarë cilësor – por mungesat kanë ndikuar në humbjen e fundit ndaj Greqisë.
Kombëtarja e Kosovës ka humbur mbrëmë ndaj Greqisë në “Fadil Vokrri” me rezultatin minimal 0:1 në ndeshjen e Ligës së Kombeve, përcjell GazetaBlic Sport.
“Kosova ka lojtarë cilësorë dhe ambiciet janë shumë më të mëdha, por Greqia është një kombëtare shumë e fortë dhe e komplikume. Mund të them se Kosova ka pasur disa mungesa dhe trajneri është i ri, i duhet pak kohë derisa ta komponon ekipin. Mendoj se është shumë herët me kërku diçka prej trajnerit dhe lojtarëve, pasi dihet se kanë afruar lojtarë të ri dhe duhet pak kohë derisa të kombinohen”, tha fillimisht Bernard Berisha për Kanal10.
Sipas Berishës, Muriqi dhe Rashica duhet të marrin më shumë përgjegjësi.
“Kosova ka cilësi, lojtarë ka shumë, talentë poashtu. Lojtarët që janë më të vjetër në ekip si Vedat Muriqi dhe Milot Rashica duhet të marrin më shumë përgjegjësi dhe me ec përpara”, vazhdoi ai.
Në fund, Berisha potencoi se Kosova po vuan pasojat që më herët nuk luajtën lojtarët e ri.
“Me krerët e FFK’së unë kam vazhdimisht komunikim, nuk kam asnjë problem me asnjë person aty, trajneri i ri më ka pëlqy shumë – mezi po pres një thirrje nga ai – pasi iu ka dhënë mundësi të gjithë lojtarëve. Kjo më ka kënaq edhe pse s’kam qenë aty – jam ndi shumë mirë, sepse i ka afru lojtarët, çka ka mungu më herët, pasi me 11 lojtarë ka fillu edhe 11 u mbyll tri vjet. Pasojat pse Kosova tash po dështon është se iu ka dhënë hapësirë pak lojtarëve që sot po lujnë”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


