Lajme

Bërnabiq: Dëshiroj të falënderoj shërbimet ruse të sigurisë

12/25/2023 12:05
nga:N K

Kryeministrja e Serbisë, në mandatin e saj teknik, ka falënderuar shërbimet ruse të sigurisë që i kanë informuar për atë që po përgatitej në Beograd të dielën, për çka ajo pretendoi se “janë në regji të disa shërbimeve perëndimore”.

Bërnabiq ka thënë për televizionin që është në shërbim të regjimit serb “TV Pink”, se edhe para zgjedhjeve kishte paralajmëruar se një pjesë e opozitës do të përpiqet të sfidojë rezultatet e zgjedhjeve dhe të merr pushtetin në Serbi me mjete të dhunshme, gjë që kulmoi, sipas fjalëve të saj me “sulmin ndaj Kuvendit të Qytetit të Beogradit”.

Ajo ka falënderuar shërbimet ruse të sigurisë, të cilat “e kanë ndarë këtë informacion me kolegët e tyre serbë”.

“Ndoshta nuk do të jetë e dëshiruar për këta nga Perëndimi, por është e rëndësishme të ngrihemi për Serbinë dhe të falënderojmë shërbimet ruse të sigurisë që e kishin këtë informacion dhe që e ndanë me ne”, ka thënë Bërnabiq.

“Pas kësaj, autoritetet shtetërore të Serbisë e ndanë këtë informacion me përfaqësuesit e tjerë të bashkësisë ndërkombëtare të cilët e hodhën poshtë këtë si dezinformim rus”, ka vazhduar Bërnabiq.

“Të gjithë të tjerët kanë thënë se këto ishin lajme të rreme”, ka thënë ajo.

Ajo për sot (e hënë, 25 janar) ka paralajmëruar takimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Alexandar Botsan-Kharchenko.