Cult

Berlinale 2024 hapet me mesazhe kundër racizmit

02/16/2024 12:34
nga:N K

Festivali i 74-t Ndërkombëtar i Filmit hapet me një film kundër diskriminimit të grave dhe një protestë kundër racizmit. Vetëm në një film flitet shqip.
Të kapur për dore dhe me drita celularësh – kështu hynë një pjesë e artistëve në Berlinale Palast, të enjten në mbrëmje, 15.02.2024, në hapjen e Festivalit të 74-t i ndërkombëtar të Filmit, Berlinale.

Me këtë gjest, artistet dhe artistët, shumë prej të cilëve mbanin pankarta me parrulla antiraciste, protestonin kundër planeve të fshehta të partisë djathtiste gjermane, Alternativa për Gjermaninë, për të cilën disa kohë më parë u bë e ditur se po thurte plane për të dëbuar një numër të madh jo-gjermanësh nga Gjermania.

 

Organizatorët e festivalit kishin reaguar qysh atëherë, duke I hequr nga lista e të ftuarve deputetët e partisë djathtiste AfD. Një vendim ky shumë i debatuar kohët e fundit edhe në botën e kinematografisë Drejtoresha e festivalit, Mariette Rissenbeek, tha se “Berlinalja ka shumë vend për dialogun e njerëzve dhe artit, por ajo nuk ka vend për urrejtje. Urrejtja nuk është në listën e të ftuarve tanë.”

Berlinalja është një nga tre festivalet më të rëndësishme të botës së filmit kinematografik, krahas festivalit të Kanës në Francë dhe atij të Venecias në Itali. Përveç konkurrimit kryesor për Ariun e Artë, ka edhe një sërë konkurrimesh të tjera. Një nga pikat kulmore të këtij viti është ndarja e Ariut të Nderit për regjisorin amerikan, Martin Scorsese (Taxi Driver), një vizitor i shpeshtë dhe mik i Berlinales.

Edicioni i 74-t u hap me filmin e “Small Things Like This” (sq: Gjëra të vogla si këto) me regji të Tim Mielants dhe producent Matt Damon. Filmi ku luan rolin kryesor kandidati për Oscar (në „Oppenheimer“), Cillian Murphy, trajton diskriminimin ndaj grave në Irlandën e shekullit 19.

Këtë vit, konkurrojnë 20 filma për Arinjtë e Artë dhe të Argjendtë, çmimet më të larta në Berlinale. Juria ndërkombëtare që përzgjedh filmat fitues drejtohet nga fituesja e Oscar-it meksikano-keniania, Lupita Nyong’o. Ajo mbështetet nga aktori dhe regjisori Brady Corbet (SHBA), regjisorja Ann Hui (Hong Kong, Kinë), regjisori Christian Petzold (Gjermani), regjisori Albert Serra (Spanjë), aktorja dhe regjisorja, Jasmine Trinca (Itali) dhe shkrimtarja Oksana Zabuzhko (Ukrainë). Duke qenë se shumë vepra janë bashkëprodhim, gjithsej 30 vende konkurrojnë.

I vetmi film i Berlinales 2024 ku flitet shqip është dokumentari I regjisores daneze Birgitte Stærmose, në kategorinë Panorama, „Afterwar“ (Pasluftë), ku tregohet historia e disa fëmijëve në Kosovën e pasluftës, prej vitit 1999 e deri më sot. Prodhimi danezo-kosovaro-suedez është një vazhdim i dokumentarit „Outa love“, I cili është shfaqur në Berlinale 2010 në kuadër të programit për të rinj “Generation/DW/