Zafir Berisha, kandidat për deputet nga Nisma Socialdemokrate, e ka quajtur ofendim kërkesën e VV-së për 500 mijë vota, sepse sipas tij në Kosovë nuk ka aq analfabetë.
“Vet kërkesa që i bëhet për një numër kaq të madh të votave është ofendim, sepse nuk ka aq analfabetë Kosova, nuk ka aq njerëz që kanë rrëshqitur nga truri në Kosovë, ka nga pak që mendimin kritik e kanë të kufizuar, por të falësh sot dhe t’i kërkosh 500 mijë njerëz që kanë rrëshqitur në Kosovë është çmenduri për mendimin tim, por s’do të thotë që ju dhe të tjerët do të mendoni si unë, por unë jam në terren çdo ditë dhe jam duke e parë se ka një ndryshim pozitiv të jashtëzakonshëm dhe mashtrimi i madh që ka ndodhur para katër vitesh nuk do të përsëritet por ai gabim do të marrë përmes votës atë që meriton”, ka thënë ai në një intervistë për Gazeta Blic.
Berisha ka thënë se pret që të kthehet në Kuvend për ta vazhduar angazhimin e tij dhe në fokus ka ligjin e lustracionit.
“Unë si Zafë pres të kthehem në parlament, aty ku e kam lënë angazhimin si deputet i tri legjislaturave, për t’iu rikthyer ligjit të lustracionit i cili ka kaluar në lexim të parë por më rënien e qeverisë më se ka vazhduar askush dhe mbi të gjitha për t’ia kthyer seriozitetin Kuvendit të Kosovës, i cili viteve të fundit është devalvuar skajshmërisht dhe nga një Kuvend ku qytetarët duhet të presin shumë, është kthyer në një teatër komik”, u shpreh kandidati për deputet.
Po ashtu, ka thënë se do të angazhohet në fushën e sigurisë.
“Edhe në 3 legjislaturat që kam qenë, kam qenë deputet i angazhuar në fushën e sigurisë dhe do të jap kontribut në këtë drejtim”, ka theksuar Berisha.
Ndërsa, sa i përket rezultatit të AAK-Nisma, ai thotë se synojnë 110-120 mijë vota.
“Ne e kemi një synim 110 mijë vota deri në 120 mijë, pavarësisht se dikush mund të thotë 100 mijë por ne po e shohim në terren, me përqindje saktësisht nuk e di sa do të jetë pjesëmarrja në zgjedhje”, ka potencuar ai.
Kurse, i pyetur nëse mund të bëjnë koalicion me VV-në, Berisha thotë se është skandaloze vetëm ta mendojë.
“Pas gjithë këtyre që i thashë koalicion me Vetëvendosjen, veç me mendua është skandaloze”.
Sipas tij, VV do të ketë rënie rapide dhe do të shkojë në opozitë, ndërsa partitë opozitare do të kthehen në pushtet, për ta kthyer vendin në binarë.
“VV do të ketë rënie rapide, sepse pak analfabetë kanë mbetur në Kosovë, janë vetëdijesuar njerëzit. VV do të jetë në opozitë. Sigurisht. Sistemi të detyron në njëfarë forme dhe është e pritshme që partitë opozitare të rikthehen dhe të vazhdojnë, fillimisht t’i riparojnë dëmet e mëdha që i ka bërë ky regjim këtij vendi dhe do ta kthejmë vendin në binarët e duhur”, ka deklaruar Zafir Berisha./Gazeta Blic/


