Lajme

Berisha: Vendimi për ish-krerët e UÇK-së mund të merret në vitin 2026

09/02/2025 19:05
nga:Genita C

Ish-deputeti Hisen Berisha ka komentuar fazën e fundit të procesit në Dhomat e Specializuara, duke theksuar se fillimi i dëshmive të mbrojtjes, veçanërisht ato nga Shtetet e Bashkuara, e bën këtë periudhë më serioze se çdo fazë tjetër.

Ai për GazetaBlic ka theksuar se shumë nga akuzat e prokurorisë po dështojnë të mbajnë peshën e provës dhe se narrativi politik kundër ish-krerëve të UÇK-së ka boshllëqe të mëdha.

“Procesi në Dhomat e Specializuara po hyn në një pikë kthese. Fillimi i dëshmive të mbrojtjes, sidomos atyre që vijnë nga Shtetet e Bashkuara dhe që monitorohen drejtpërdrejt nga institucionet amerikane, e bën këtë fazë më serioze se çdo gjë që ka ndodhur deri më tani. Kjo sepse po del hapur se shumë nga akuzat e prokurorisë nuk e mbajnë peshën e provës dhe se narrativi i ngritur politikisht kundër ish-krerëve të UÇK-së ka boshllëqe të mëdha”, tha Berisha.

Berisha ka parashikuar se vendimi i parë mund të merret në vitin 2026 dhe ka theksuar se procesi po sfidon legjitimitetin e akuzave.

“Është thënë se gjykimi formal do të përfundojë në dhjetor, por askush nuk duhet të krijojë iluzion se menjëherë pas kësaj do të ketë aktgjykim. Specialja funksionon me ritmin e vet, shpeshherë duke zgjatur mbase edhe qëllimisht procedurat. Unë mendoj se vendimi i parë, nëse nuk shtyhet edhe më tej, mund të pritet në pjesën e parë të vitit 2026. Kurse për përfundimin e misionit të këtyre Dhomave Speciale ose jo, bazuar në Ligjin themeltar, kompetent është Këshilli i Europës”, shtoi ai.

Ai ka shprehur besimin se ky proces, nën mbikëqyrjen e SHBA-ve, do të çojë në një çlirim moral dhe politik për popullin e Kosovës.

‘Ajo që është më e rëndësishme sot, është fakti se në sallën e gjyqit po sfidohet vetë legjitimiteti i akuzave. Dhe ky proces, nën mbikëqyrjen e SHBA-ve, është tregues se drejtësia ndërkombëtare nuk mund të përdoret pafundësisht si instrument politik kundër Kosovës dhe luftës çlirimtare. Nëse gjykata ka guxim të qëndrojë mbi kalkulimet politike, atëherë fundi i këtij procesi do të jetë një çlirim moral e politik për popullin tonë”, the Berisha për GazetaBlic.

Gjyqtarët e Speciales caktojnë datat, në fund të dhjetorit pritet përfundimi i gjykimit në Hagë