Lajme

Berisha u kërkon të falur demokratëve që i solli Bashën

09/16/2021 19:09
nga:Y I

Kulmi i foltores së Sali Berishës ishte momenti kur ai u kërkoi solemnisht falje demokratëve për Lulzim Bashën.

Në këtë moment salla ka shpërthyer në brohorima dhe me thirrjet: “Turp Turp”.

Pavarësisht se sa e sinqertë është ndjesa e ish kryeministrit, ai tha se ka qenë avokat i militantëve përballë Bashës dhe se nuk ka pasur djeni për projektin e tij për largimin e të gjithë bashkëpunëtorëve.

Berisha tha se ai i ka kërkuar dorëheqjen Bashës që në 2017.

“PD ka 8 vjet që ka humbur çdo aksion 100 përqind. Ka 8 vite që ajo kalon nga disfata elektorale në disfatë elektorale. Kjo është PD në ditët e sotme. PD humbi zgjedhjet e fundit, në të cilat Edi Rama vodhi, bleu dhe grabiti dy herë më shumë vota se në zgjedhjet e vitit 2017. Po prapë duhet t’ia themi vetes të vërtetën në sy. PD nuk i fitoi zgjedhjet. Unë nuk mund të them atë që nuk është.

Ditën e zgjedhjeve në darkë, pollsteri më serioz që kishim, pyet zgjedhësit demokratë se për kë votuan në PD. Vetëm një e pesta e tyre thoshin se kanë votuar për kryetarin. Të tjerët për PD-në. E kundërta ishte në raport me partinë tjetër. Nuk mund të them që fituam se në këtë mënyrë nuk fitohet”.

Ai tha konkluzionin e brohoritur fort nga salla: “Humbe njëherë zgjedhjet, duhet të ikësh. Po humbe dy herë, duhet të ikësh dy herë,” tha Berisha.

Ai përmendi edhe njëherë fjalët e hapura nga kryetari se vendimet “de facto” i merrte Berisha duke e mohuar këtë.

Ish lideri historik përsëriti edhe njëherë faktet që ka thënë ditët e fundit në intervista televizive dhe tha se do ta vazhdojë foltoren e tij me qytetarët: “ne duhet të betohemi këtu për shpëtimin e PD-së” tha ai përmes brohoritjeve dorëheqje dorëheqje.