Lajme

Berisha thirrje demokratëve për bashkim- Ja objektivat që duhet të arrijmë!

06/28/2024 20:59
nga:Y I

Unitet, qeveri teknike, reformë zgjedhore dhe rikthim i paketës së vitit 2020 ,vota e diasporës dhe zgjedhje të lira dhe fitorja në 2025, janë objektivat e Partisë Demokratike, të shprehura nga kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së.

Me sloganin “Të bashkuar në diversitet”, Berisha kërkoi nga demokratët që të bëjnë çdo përpjekje për të bashkuar edhe atë 1%, sipas tij, që nuk u është bashkuar, por edhe përtej PD-së, me qëllimin për të rrëzuar Edi Ramën.

“Ne jemi qindra mijëra dhe ne do të arrijmë misionin tonë. Ne kemi përballë narkoshtetin më të kalbur të Europës dhe botës prandaj dy detyra kanë mbetur për realizimin fitores dhe secili nga ju të dhjetëfishojë përpjekjet e tij. Detyra e parë është uniteti, 99% e demokratëve janë të bashkuar, por edhe 1% që ka mbetur është në detyrimin tonë të bëjmë çdo përpjekje që edhe ata të vijnë në shtëpinë e tyre dhe të bëjmë të ndihen njëlloj si ne. T’i japim vlerë të barabartë. Uniteti duhet të shtrihet edhe përtej PD. Koha ka ardhur të njohim frontin më të gjerë opozitar. Është koha të bashkohemi në diversitet frontin opozitar. Ne jemi të detyruar të bashkohemi për të rrëzuar Edi Ramën dhe detyra e dytë është përgatitja e kushteve për zgjedhje të lira, qeveri teknike. Fjala e pamundur nuk ekziston për Partinë Demokratike”.

Berisha theksoi se e keqja e këtij vendi është kryeministri Rama, dhe secili duhet të bashkohet në këtë betejë për të shpëtuar vendin.

“Bashkimi vetëm kur secili nga ne të realizojë atë që është një bashkim beteje, secili duhet të përsërisë vargun: “nga lufta veçse ai largohet”, të shpëtojmë kombin që është vendosur para alternativës së kobshme; të qenies ose mosqenies së tij. E keqja e këtij vendi nuk është ai që ke në krah dhe të kritikon, por është Rama burimi i të gjitha të këqijave nga i cili duhet të shpëtojë. Fitoren ua kemi borxh atyre 42% të rinjve që nuk mbyllën maturën, ua kemi borxh të parëve tanë”.

Berisha u shpreh i bindur për një fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe tha se fjalimi i fitores do hapet me fjalët “gëzuar ditën e parë të rikthimit të demokracisë”.

“Në mënyrë të ngjashme, kur PD të fitojë vitin e ardhshëm, dhe ua theksoj këtë: fitorja vitin e ardhshëm është në duart tona. Pra kur PD të fitojë vitin e ardhshëm, fjalimi i fitores do të hapet me fjalët: Gëzuar ditën e parë të rikthimit të demokracisë”.

/A2CNN/