Lajme

Berisha shpalos programin për Kulturën: Mbidyfishimi i buxhetit dhe status ligjor për artistët

03/21/2025 18:49
nga:Y I

Kreu i PD-së, Sali Berisha, paraqiti Programin e Qeverisjes 2025-2029 për Kulturën, ku theksoi mbështetje të madhe për artin dhe kulturën.

Ai njoftoi se do të rritet buxheti për kulturën dhe artin, dhe do të ristrukturohet Ministria e Kulturës.

“Në qeverisjen tonë, kultura do të jetë një prioritet dhe do të bëjmë ndryshime rrënjësore që në vitin e parë. Do të mbidyfishojmë buxhetin për kulturën dhe artin dhe do të ristrukturojmë Ministrinë e Kulturës për të ndihmuar zhvillimin e këtij sektori”, tha ai.

Ai shpalosi planin për një status ligjor të veçantë për artistët, shkrimtarët dhe njerëzit e kulturës, për t’i mbështetur ata në aktivitete të mëtejshme dhe mbrojtur interesat e tyre. “Artisët, shkrimtarët dhe njerëzit e kulturës do të kenë një status ligjor të veçantë për t’i mbështetur ata në aktivitetet e tyre dhe për të garantuar të drejtat e tyre”, shtoi kreu i PD.

Berisha kërkoi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke përmendur rrezikun që paraqesin për monumentet historike si Butrinti dhe Bylisi. Ai tha: “Kultura jonë është e pasur, por ajo është e kërcënuar. Janë vërsulur ndaj trashëgimisë tonë kulturore, ndaj Butrintit, Bylisit dhe mrekullive të tjera natyrore.”

PD shtoi ai, do të miratojë një ligj që nxit bizneset të sponsorizojnë artin dhe kulturën, duke ofruar ulje taksash për investimet në këtë sektor. “Do të krijojmë mundësi për bizneset të sponsorizojnë artin dhe kulturën me kushte të favorshme dhe transparencë.”