Ish-kryeministri Sali Berisha nga Kuvendi Kombëtar i mbledhur sot në stadiumin Air Albania i bëri thirrje Departamentit Amerikan të Shtetit që të rishqyrtojnë vendimin për shpalljen e tij non grata.
Berisha theksoi se do të vazhdojë misionin e tij për përmbysur regjimin dhe për sjellë Partinë Demokratike në pushtet. Ai u bëri thirrje zyrtarëve amerikanë të dërgojnë në Gjykatën e Parisit çdo provë dhe fakt për shpalljen e tij non grata.
“Ndaj dhe unë nisa betejën time po aq i vendosur, si 32 vjet më parë të bëj gjithçka për dinjitetin tim, në sallën e gjyqit dhe kam muaj dhe muaj që pres. Asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë provë. Për faktin e vetëm që nuk ekziston. U bëj thirrje zyrtarëve të DASH të çojnë në Paris çdo dokument që kanë. Unë marr çdo vendim ndaj vetes sime.
Jam mirënjohës ndaj miqve në Europë dhe SHBA për qëndrimet ndaj këtij vendimi. Do vazhdoj pathyeshëm misionin tim si besimtar i Zotit dhe dinjitetit të njeriut. Beteja ime nuk do ndalet kurrë. Ftoj zyrtarët e DASH të rishqyrtojnë vendimin e tyre sepse arroganca dhe gabimi nuk janë virtyte të njerëzve të lirë. Unë u garantoj ju që do vazhdoj misionin tim bashkë me ju për të përmbysur narkoshtetin në Shqipëri”, tha Berisha.
Ai deklaroi se ambasadorja e SHBA në Shqipëri mbështet qeverinë duke mbyllur sytë para paligjshmërisë dhe sulmon opozitën.
“Burokratët dhe njerëzit ndonjëherë e harrojnë këtë. Presidenti i SHBA me dekretin e tij dekreton në këtë vend një ambasadore përfaqësues te vlerave te interesave, demokracisë dhe sigurisë së këtij kombi. E paimagjinueshme. Në kulmin e mbulimit me drogë të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e policisë, përfaqësuesi i vendit të madh të lirisë përgëzon policinë për luftën kundër drogës.
Në kulmin e korrupsionit dhe shtrimit të Shqipërisë në protektoratet e krimit të organizuar, përfaqësuesi i këtij vendi bën ligjërata në mbështetje të qeverisë dhe nga mëngjesi deri në darkë sulmon opozitën. Në një kohë kur propozohen dhe ndëshkohen trafikantë të markave të ndryshme, një trafikant tjetër dërgohet në Shtëpinë e Bardhë, Kur kthehet për t’u vënë para drejtësisë procesi shpall proces politik i diktaturës komuniste. A vijnë këto nga shteti ligjor i SHBA? Këto vijnë fund e krye nga mafia e George Soros. Edhe më keq akoma një ditë, në maj të këtij viti DASH shpall non grata Sali Berishën. 8 vite pasi kishte dhënë dorëheqjen nga çdo rol.
Njeriu që ishte lavdëruar më shumë nga SHBA për luftën kundër korrupsionit. Shpall non grata njeriun që gjatë jetës së tij nuk kishte pasur akuzë për korrupsion. Një njeri që kishte bërë gjithçka në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në opozitë. Një njeri që 31 vite më parë në drejtim të kësaj partie kishte përmbysur në Shqipëri diktaturën, kishte hedhur bazat e ekonomisë së tregut dhe shtetit ligjor. Në qeverisjen e tij kishte shënuar projekte të mëdha të shekullit në fushën e energjisë, anëtarësuar Shqipërinë në NATO dhe kishte mbështetur pa kushte qëndrimet e SHBA në fushën e sigurisë dhe paqes.
Së fundmi njeriun që për të gjitha këto ishte votuar nga shqiptarët, në përqindje aq shumë sa zyrtarët dhe burokratët në fjalë as në ëndërr nuk e kanë parë. Çfarë do bëja unë në këtë rast në vitin 2013. Shumë nga ju kërkuan që të mos jepja dorëheqjen. Por unë thashë që dinjiteti im e kërkon që unë të jap dorëheqjen. Dhe unë ju kam thënë të vërtetën. Po të shkojmë më tutje 32 vjet të shkuara në një natë të zezë dimri. Unë kisha marrë një vendim që të dilja dhe përballesha me diktaturën. Ai është vendimi më i rëndësishëm i jetës sime”, deklaroi Berisha.