Lajme

Berisha: SHBA të nisë hetim për korruptokratët amerikanë që krijuan sistemin monstër të drejtësisë në Shqipëri

10/24/2024 22:51
nga:G B

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në ballkonin e tij hodhi akuza ndaj qeverisë shqiptare. Gjithashtu ai bëri thirrje për një hetim nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA lidhur me shpenzimet prej miliona dollarësh të korruptokratëve amerikanë, të cilët, sipas tij, ndihmuan në krijimin e këtij sistemi të drejtësisë në Shqipëri.

“I bëj thirrje Departamentit të Drejtësisë të SHBA të nisë hetim për dhjetëra-milionë dollarë të shpenzuara nga korruptokratët amerikanë. Për të krijuar në Shqipëri sistemin monstër të drejtësisë. I bëj thirrje Departamentit të Drejtësisë, të mos mbështesë një organizatë kriminale që quhet “Skapi i partisë””, u shpreh Berisha.

Ai gjithashtu i bëri apel Komisionit Europian dhe Komisionit të Venecias që të hetojnë dhe të mos mbështesin një drejtësi, të cilën ai e përshkroi si një “sistem monstër”, më i keq se në çdo vend tjetër.

“I bëj thirrje Komisionit Europian të kërkojë me urgjencë Komisionin e Venecias, të mos mbështesë një instrument të diktaturës. Të diktaturës së bandave. Të mos mbështesë një sistem drejtësie që nuk ekziston kund në botë, më i keq se në Vietnam, më i keq se në Bjellorusi, më i keq së në çdo vend”, tha Berisha.

Simbole të kësaj drejtësie që për Berishën është e kapur, përmendi disa figura kryesore të drejtësisë në Shqipëri, si Irena Gjoka, Altin Dumani, Arben Kraja dhe të tjerë.