Lajme

Berisha: Qeveria Kurti vazhdon me lëmosha, PDK ofron zgjidhje të qëndrueshme për pensionistët dhe qytetarët

12/22/2024 15:50
nga:G C

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka kritikuar Qeverinë Kurti për ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët, duke e quajtur këtë një premtim populist dhe një lëmoshë të përvitshme, raporton GazetaBlic.

Ai theksoi se qytetarët kanë nevojë për politika të qëndrueshme që përmirësojnë cilësinë e jetës në mënyrë afatgjatë, dhe jo për pagesa një herë në vit.

Berisha akuzoi qeverinë për “logjikën e varfërisë”, duke u mburrur për numrin e lartë të qytetarëve që përfitojnë ndihmë sociale.

Ai theksoi se, ndryshe nga Qeveria Kurti, PDK do të dyfishonte pensionin bazë dhe do të sigurojë rritje të qëndrueshme për pensionistët.

E plotë:

Një lëmoshë e përvitshme nuk e zgjidh varfërinë

Qeveria Kurti po vazhdon me premtime populiste dhe lëmosha të përvitshme prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët, ndërkohë që qytetarët kanë nevojë për politika të qëndrueshme që përmirësojnë cilësinë e jetës në mënyrë afatgjatë.

Një pagesë një herë në vit nuk është zgjidhje për varfërinë, inflacionin dhe koston e lartë të jetesës.

Kjo qeveri udhëhiqet nga logjika e varfërisë. Doktrinë e sajë është “varfëro popullin e sundoje”! Në emër të kësaj doktrine Kryeministri Kurti u mburr në foltoren e kuvendit se, sot në Kosovë marin ndihmë sociale 341 mijë qytetarë dhe janë hapur 13 kuzhina publike. Kjo do të thotë 341 mijë të varfër dhe kuzhina publike pas 25 vitesh liri.

Parimisht partitë e majta e marin votën në shtresat e varfëra. Atëhetë çka po bën kjo parti e qeveri për të pasur votën e dëshpërimit? Kjo parti e qeveri synon rritjen e numrit të të varfërve!

Kurse me qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës, pensioni bazë do të dyfishohet dhe sdo ketë pension nën 200 euro, pra rritja është 100% apo 100 euro por për çdo muaj, jo si lëmoshë njëherëshe në fund të vitit, por si rritje e qëndrueshme dhe e përhershme për pensionistët.

Diferenca është e qartë, Qeveria Kurti kujtohet për qytetarët vetëm para zgjedhjeve, ndërsa PDK ka dëshmuar se ofron zgjidhje të strukturuara që sigurojnë mirëqenie të përhershme për të gjithë.