Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha duke folur në ‘Foltoren’ e organizuar në Sukth, ka uruar besimtarët myslimanë në prag të nisjes së Ramazanit. ‘Zoti ua pranoftë dhe agjërim të lehtë’.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha e vuri theksin në situatën kritike ku ndodhet Shqipëria sot. ‘Ne vijmë sot si një komb pa të ardhme’, duke argumentuar se mungesa e mundësive ekonomike dhe varfëria kanë shkaktuar largimin masiv të shqiptarëve. ‘Nga viti 1990 gjer sot, lindjet në Shqipëri janë ulur 74 përqind… u larguan vetëm në hapësirën e Shengenit 1 milionë e 100 mijë shqiptarë’. Ai shton se ky fenomen është më i theksuar te të rinjtë. ‘Nga këta u larguan për në BE, 720 mijë janë të moshës ndën 40 vjeç. Askush nuk lind me dëshirën për të ikur nga vendi i tij. Ndodh sepse së pari mundësia ekonomike vjen gjithnjë duke u zvogëluar… sepse kjo qeveri ka vjedhur në mënyrën më të papërmbajtur’.
Lideri i opozitës Sali Berisha foli edhe për portin e Durrësit dhe atë të peshkimit. ‘Portin e Durrësit si port, prej 5 vitesh e kanë Troplinët. Portin e peshkatarëve… e mori Luca, një trafikant që ndiqej nga 5 shtete për trafik’. Ai denoncoi gjithashtu investimet publike të dështuara, të cilat sipas tij shkojnë në kontot personale të qeveritarëve. ‘90 deri në 100 përqind e investimeve zhduken dhe nuk kryhen, – dhe duke sjellë shembullin e djegësit të Tiranës Berisha u shpreh se, – 130 milionë euro keni dhënë ju për të. Po nuk është vetëm djegësi, janë kështu të gjitha investimet, të cilat janë vjedhur në masën 90 gjer 100 përqind’.
‘Sa ç’kanë vjedhur tre drejtorë të bashkisë të Tiranës, të marrësh të gjitha vjedhjet e Byrosë Politike me në krye Enver Hoxhën, për 46 vjet, janë më shumë të drejtorëve’, u shpreh kreu i PD-së, Sali Berisha ndërsa akuzoi gjithashtu Edi Ramën për keqmenaxhimin e taksave dhe përdorimin e tyre për interesa personale dhe politike. ‘Në 12 vite, Edi Rama ka pasur në dorë me firmë 67 miliardë euro taksa tuaja. Në mënyrë absolute përveç rrogave, 90 gjer në 100 përqind e tyre janë vjedhur nga qeveria dhe klanet e veta’, tha Berisha.
Gjatë fjalës në ‘Foltoren’ e Sukthit, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha vuri theksin dhe tek rrëmbimi i pronave nga ndërmarrja e investimeve strategjike të ngritur nga Edi Rama dhe të drejtuar nga Elira Kokona. ‘Sot po shihja unë se ç’është një Elira Kokona, pronarja e të gjitha pronave të shqiptarëve në emër të Edi Ramës, e cila kudo që të vërë lapsin, u merr shqiptarëve pronën, njëlloj si në vitin 1946. Por ua merr pa asnjë dokument’.
Lideri i opozitës, Sali Berisha përmendi edhe depozitimin e mbetjeve të rrezikshme nga qeveria në Durrës, që janë rrezik i madh për shëndetin e qytetarëve: ‘Kanë depozituar në Durrës mijëra tonelata helme më të rrezikshme për qytetarët’, duke bërë thirrje për veprim ndaj Lubi Ballukut dhe institucioneve përgjegjëse: ‘kërkesa ultimative, largo Lubi Ballukun, hiqi imunitetin dhe të shkojë atje ku e ka vendin’.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në fund të fjalës së tij, u shpreh se protesta e opozitës dhe betejat e fundit të PD-së i kanë shpëtuar faqen kombit. ‘Protestat tuaja gjatë javëve të fundit kanë qenë protestat më të rëndësishme që kemi bërë ndonjëherë… është misioni i shpëtimit të Shqipërisë’, tha Berisha ndërsa theksoi se fitorja e tyre është e pritur jo vetëm në Shqipëri, por dhe ndërkombëtarisht: ‘Por edhe njerëzit e lirë në mbarë botën… janë me ne dhe presin fitoren tonë’.


