Lajme

Berisha: Protesta e djeshme shënoi një kapitull të ri, mirënjohje çdo qytetari që mori pjesë

02/11/2026 13:55
nga:Y I

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur lidhur me protestën që opozita mbajti një ditë më parë. Berisha ka shprehur mirënjohjen ndaj çdo qytetari që mori pjesë në këtë protestë dhe e quan ngjarjen më të rëndësishme.

Sipas Berishës, me anë të kësaj kryengritje mund të arrihet një Shqipëri ndryshe dhe një fitore e opozitës, për të cilën PD synon.

“Qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë meritojnë mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh, të cilët dje me kryengritjen e tyre paqësore, i zbardhën faqen Shqipërisë, shënuan një kapitull të ri në kryengritjen paqësore të popullit shqiptar kundër narkoregjimit të Edi Ramës.

Pas 20 shkurtit të vitit 1991, 10 shkurti i vitit 2026 do të shënohet në analet e përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar dhe njerëzor si ngjarja më e rëndësishme.

Një mirënjohje dhe nderim të pakufishëm atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, që dje me protestën e tyre, kryengritjen e tyre paqësore, rikthyen shpresën, rikthyen besimin e shqiptarëve në triumfin e tyre, në fitoren e tyre mbi narkoshtetin.

Shqipëria është tjetër sot, nuk është më kurrë ajo e një dite më parë. Dhe kjo është merita e madhe e njerëzve të sakrificës, e njerëzve të idealeve, e njerëzve të gatshëm të përballen për të mbrojtur vlerat më të çmuara të njeriut. Detyrimi ndaj tyre është i pakufishëm”, tha kreu i PD-së.