Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka reaguar ndaj arrestimeve të fundit të realizuara nga Gjykata Speciale, duke theksuar se ky institucion është duke u keqpërdorur për qëllime politike dhe elektorale, raporton GazetaBlic.
Sipas Berishës, veprimet e fundit shkelin parimet e drejtësisë dhe dëmtojnë stabilitetin politik të Kosovës, duke përmendur edhe raportet e gazetarit Blendi Fevziu, që sugjerojnë lobime kundër figurave kyçe të UÇK-së.
“Sa u përket arrestimeve të fundit nga Gjykata Speciale, është e qartë se ky institucion, i themeluar për të adresuar drejtësinë dhe për të kontribuar në pajtimin e Kosovës me të kaluarën e saj, është duke u keqpërdorur për qëllime politike dhe elektorale”, thotë ai.
“Këto veprime nuk janë vetëm një shkelje e parimeve të drejtësisë, por edhe një sulm ndaj stabilitetit politik dhe përfaqësimit demokratik të qytetarëve të Kosovës. Informacionet e publikuara së fundmi, përfshirë raportet e gazetarit Blendi Fevziu, sipas të cilave zyrtarë të lartë të qeverisë kanë lobuar kundër figurave kyçe të UÇK-së në Hagë, vetëm sa i konfirmojnë këto shqetësime”, shton Berisha.
Berisha ka kritikuar qeverinë aktuale për angazhimin në veprime që dëmtojnë përfaqësimin demokratik të opozitës, veçanërisht të PDK-së, duke theksuar se kjo parti vazhdon të gëzojë mbështetje masive qytetare.
Ai ka kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe respektim të standardeve të drejtësisë ndërkombëtare, duke bërë thirrje për një drejtësi të ndershme dhe një qeveri që punon për interesat kombëtare dhe demokratike.
“Kjo qasje kujton metodat e mëparshme të një nomenklature që ka shfrytëzuar çdo mekanizëm, përfshirë edhe proceset e ndjeshme juridike, për të arritur pushtetin. Për më tepër, dyshimet mbi integritetin e Gjykatës Speciale, nga raportet e Dick Marty-t, te aktet korruptive dhe burimet jo kredibile si ato serbe dhe ruse, tregojnë një mungesë serioze besueshmërie në këtë proces. Është shqetësuese që qeveria aktuale, në vend që të mbështesë drejtësinë e pavarur, angazhohet në veprime që dobësojnë përfaqësimin politik të opozitës, në veçanti të PDK-së, një force politike që vazhdon të gëzojë mbështetje masive qytetare, siç tregojnë sondazhet e fundit”, tha Berisha.
“PDK nuk do të qëndrojë pasive përballë kësaj situate. Ne bëjmë thirrje për transparencë, llogaridhënie dhe respektim të standardeve të drejtësisë ndërkombëtare. Populli i Kosovës meriton një drejtësi të ndershme dhe një qeveri që punon për interesat kombëtare dhe demokratike, jo për agjenda personale apo partiake”, shton ai.


