Lajme

Berisha për sulmuesit në Ibër-Lepenc: Mund të jenë mercenarë, që deshën destabilizimin në prag të zgjedhjeve

12/02/2024 17:15
nga:G B

Deputeti i AAK-së Bekë Berisha, ka dhënë tri versione që sipas mund të jenë të sakta, në pyetjen se kush janë terroristët që shpërthyen kanalin në Ibër-Lepenc.

“Terroristët të cilët kanë kryer sulmin sipas meje bëjnë pjesë në njërën prej tri grupeve. 1. Mund të jenë grup lokal i papërvojë me resurse teknike, materiale të limituara, kjo mund të shpjegohej edhe në mungesën e përvojës në vendosjen e eksplozivit, sasinë e limituar dhe mungesën e një sulmi të koordinuar”, u shpreh ai në seancën e Kuvendit.

Berisha tutje tha se mund të jetë një grup i organizuar mirë nga Serbia.

“2. Grup i mirëorganizuar me origjinë në Serbi, në këtë rast kemi të bëjmë me një sulm paralajmërues i cili mund të përsëritet dhe përshkallëzohet, ku caqet në të ardhmen mund të jenë në veri, në pjesë të brendshme të Kosovës, apo në shtete fqinjë”.

Ai supozoi se kjo mund të jetë kryer edhe nga mercenarë, për të destabilizuar vendin në prag të zgjedhjeve.

“3. Një palë e tretë me mercenarë që mund të jenë të nacionaliteteve të ndryshme, të nxitura, të financuara me qëllim të destabilizimit në prag të zgjedhjeve”.