Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dhënë idenë e tij mbi planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Gjatë një takimi me ish-ministren e Jashtme të Kosovës, Znj. Meliza Haradinaj, Berisha tha se një marrëveshje e mirë që e respekton Kushtetutën është interesi i Kosovës.
Berisha vlerëson se plani franko-gjerman duket sikur parashtron një zgjidhje të mirëpritur për Kosovën, por edhe rajonin.
Megjithatë, kryedemokrati tha se “ky plan duhet të parashikojë heqjen nga Kushtetuta e Serbisë të Preambulës ultranacionaliste që përcakton Kosovën si pjesë të Serbisë”.
“Asosacion që përputhet me kushtetutën e Kosovës, domethënë që nuk njeh kompetenca ekzekutive komunave me shumicë serbe, mendoj se nuk duhet kundërshtuar. Sikundër një Asosacion që krijon struktura me fuqi ekzekutive është i rrezikshëm, jo vetëm për Kosovën por për mbarë rajonin në të cilin minoritet janë të pranishme dhe më numerike se sa pakica serbe në Kosovë”, tha Berisha.
Nuk duhet harruar kurrë se “baruti” i fuçisë së rajonit tonë është ultranacionalizmi i verbër serb”.
Ata ranë dakord që Ballkani nuk mund t’i lejojë vetes kurrësesi një “Republika Srpsksa ” të dytë dhe se përballë spirales të ultranacionalizmit serb, faktori shqiptar duhet të jetë sa më i bashkuar.
Berisha tha se ekspansioni serb nisi me projektet e korrigjimit të kufijve e më pas me Ballkanin e Hapur, projekte për të cilat Berisha bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama për marrëveshje me Presidentin serb Aleksander Vuçiq.