Lajme

Berisha për arrestimin e Metës: Narkoregjimi i Ramës kreu një akt terrorist të vërtetë

10/21/2024 18:57
nga:G B

Shefi i Partisë Demokratike Sali Berisha arrestimin e kreut të Partisë së Lirisë Ilir Metës e ka cilësuar si një “akt terrorist të kryer nga narkoregjimi” i kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Sipas ish-kryeministrit shqiptar, ish-presidenti i Shqipërisë u tërhoq zvarrë nga bandat me uniformën e Ramës, shkruan A2 CNN, përcjell Klankosova.tv.

“Narkoregjimi i Ramës kreu një akt terrorist të vërtetë. Rrëmbeu në mes të rrugës, tërhoqi zvarrë dhe goditi me urdhër të Ramës ish-presidentin, Ilir Meta. E gjitha kjo si person në hetim. Edi Rama me këtë akt prej burracaku, prej frikacaku, dëshmoi se në shpirtin e tij nuk ka asnjë dallim nga i ati xhelat, që i tmerruar nga vargjet e Nelës, firmoste varjen e tij në litar i kundërshtar politik”, u shpreh Berisha gjatë mbledhjes së kryesisë së PD-së.

“Të nxjerrësh një bandë me uniformë, të rrëmbejnë, zvarrisin, godasin, njërin nga personalitetet me karrierë më të gjatë politike, i cili në rininë e tij bëri aq sa kishte mundësi për një orientim Europian të partisë së krimit, në periudha të tjera, gjatë luftës në Kosovë, dha kontribut kryesor në përballimin e krizës, qëndroi në detyrën e presidentit dhe mbrojtjes së Kushtetutës, Edi Rama ka bërë gjithçka që të shkatërrojë Ilir Metën dhe partinë e tij që themelojë”, shtoi ai.

“Ai ka përdorur standardet më të ulëta morale të individit. Ai ka përdorur makinacionet me bandat vrastare; ai përdori mercenarët e SPAK-ut, me qëllimin e vetëm që të zhdukë Partinë e Lirisë. Sot, unë iu them të gjithë atyre që kanë votuar Ilir Metën nga viti 92 deri më sot, se kjo që ndodhi sot me Metën ndodhi vetëm për shkak të besimit të tyre ndaj tij, ndaj qëndrimeve të tij dhe urrejtjes së papërmbajtur, të një njeriu të standardeve më të ulëta morale njerëzore, Edi Ramës”, deklaroi ish-kryeministri shqiptar.