Sali Berisha i garanton minatorëve se pas 11 majit, me PD në pushtet, në 100 ditët e para ata do të gëzojnë statusin dhe pensionin e veçantë.
Për këtë premtim kryetari i PD-së firmosi një kontratë me sindikatat e bashkuara. Më tej, Berisha pohoi se pensionet do indeksohen dyfishin e inflacionit:
“Ndaj dhe kontrata që firmosim sot për pensionin, për amendimet ligjore, për statusin, ju jap fjalën e nderit që 100 ditët e para të PD do të jetë realitet. Pensionet do rriten me 20 përqind dhe do indeksohen dyfishin e inflacionit. Jo vetëm kaq, pensionistët dhe rrogëulëtit, sepse rrogat e ulëta nuk do mund të ketë rrogë të ulët nën 500 euro”.
Berisha iu rikthye tarifave të vendosura nga Donald Trump ndaj Shqipërisë, duke premtuar se me të në pushtet do të hiqen tarifat ndaj mallrave amerikane, me shpresën se edhe Uashingtoni në këmbim do të bëjë të njëjtën gjë ndaj vendit tonë: “Ne do bëjmë gjithçka që Made in Albania të mbushë tregjet shqiptare dhe tregjet e botës. SHBA kanë vendosur një sistem tarifash sepse të gjithë kanë pasur tarifa ndaj tyre. Kjo është e vërteta. Ta mësoni të vërtetën. Të gjithë këta që qahen sot, kanë pasur tarifa. Shqipëria nuk do ketë asnjë tarifë për mallrat amerikane dhe jam i bindur se kjo gjë do ndodhë edhe me qeverinë e SHBA pasi t’i heqim ne”.
Berisha pohoi se PD synon të krijojë një klimë miqësore me biznesin, duke ofruar një paketë taksash të ulta dhe lehtësira fiskale. /A2/