Gazetari Rid Berisha ka reaguar publikisht duke ngritur shqetësime serioze për trajtimin e rastit të tij nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe institucionet përkatëse të drejtësisë, raporton GazetaBlic.
Sipas tij, megjithëse çështja ishte në përputhje me ligjin, për një vit rresht stafi administrativ i gjykatës nuk e ka dërguar rastin në apel, duke u arsyetuar me mosfunksionimin e sistemit online.
“Edhe pse ligjërisht ishte cdo gjë në rregull, për një vit rresht stafi administarativ i Gjykatës Themelorë në Prishtinë, nuk e qoi në apel cështjen tashme të gjykar në rastin tim me arsyetimin se nuk iu punoi sistemi online. Gjykata këtu para më shumë se 1 viti, me vendim të saj tha se largimi nga puna në RTK ishte i paligjshëm rrjedhimisht detyroi RTK të më kthej në vendin e punës, kjo nuk ndodhi”, tha ai.
Duke e cilësuar situatën si shkelje të të drejtave themelore të njeriut, Berisha i është drejtuar publikisht kryetarit të Këshilli Gjyqësor i Kosovës me kërkesë që rasti i tij të trajtohet me prioritet.
“Gjykimi në kohë të arsyeshme është e drejtë themelore e njeriut, kjo e drejtë po më mohohet, jam thellësisht i shqetësuar. Me respekt i drejtohem publikisht kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta trajtoj me meritë rastin tim. I nderuar kryetar, neglizhimi, vonesat dhe cfardo arsyetimi tjetër druaj se po më cenojnë të drejtat themelore të njeriut”, përfundoi ai.


