Lajme

Berisha kritikon Qeverinë: Me tensione të sajuara dhe manipulim të frikës, përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga dështimet e saj

12/29/2024 18:39
nga:G B

Deputeti Hisen Berisha, po ashtu kandidat për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, me numër 67, ka kritikuar Qeverinë Kurti, raporton Gazeta Blic.

Ai ka thënë se qeveria aktuale, përmes tensioneve të sajuara dhe manipulimit të frikës, përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga dështimet e saj.

“Kosova nuk mund të vazhdojë të funksionojë mbi baza populizmi dhe kriza të sajuara. Një qeveri e përgjegjshme duhet të përqendrohet në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, fuqizimin e institucioneve demokratike dhe ndërtimin e partneriteteve të forta ndërkombëtare”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Shkrimi i plotë:

Manipulimi i frikës dhe krijimi i krizave, strategjia e një qeverisjeje të dështuar

Kosova ka kaluar nëpër etapa të rëndësishme historike, duke dëshmuar një forcë dhe unitet të papërsëritshëm për të siguruar lirinë dhe pavarësinë e saj. Megjithatë, përtej përpjekjeve për të ndërtuar një shtet funksional, Kosova sot përballet me një qeverisje që përdor retorikën e kërcënimit me luftë për të shkatuar kriza si një instrument politik për të mbajtur pushtetin.

Kjo shkollë politike është një model i vjetër i regjimeve komuniste të Ballkanit. Për vite me radhë, regjimet në Beograd kanë ndërtuar narrativa me të cilat na i kanë bërë heronjtë në Kosovë, të cilët iu kan shërbyer kauzave “nacionale” në interes të Serbis, ndërkohë që krijonin situata artificiale krizash për të ruajtur dominimin.

Një qasje e tillë duket se po aplikohet edhe në Kosovë nga qeveria aktuale, e cila, përmes tensioneve të sajuara dhe manipulimit të frikës, përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga dështimet e saj.

Nga vendosja e taksës 100% ndaj mallrave serbe e deri te vendosja e reciprocitetit, qeveria ka ndërmarrë veprime që, ndonëse të justifikueshme politikisht, janë përdorur për qëllime populiste.

Krizat e njëpasnjëshme në veri të vendit – nga bllokimi i Doganave dhe Njësive Speciale, ngritja e barrikadave, sulmet ndaj institucioneve lokale dhe KFOR-it, deri te tentativat për destabilizim përmes grupeve kriminale të instrumentalizuara nga Serbia – janë menaxhuar më shumë për përfitime politike sesa për interesa afatgjatë të vendit.

Që nga shtatori ‘21, në vathdimësi krizat apo incidentet në Veri ndodhin të sinkronizuara me problemet në Beograd.

Incidentet në Kosovë nuk mund të analizohen pa i marrë parasysh zhvillimet edhe zhvillimet politike në Serbi. Regjimi i Vuçiqit, i goditur nga krizat e brendshme dhe humbja e legjitimitetit, duket se ka gjetur një aleat të heshtur në qeverinë e Kosovës. Kryetari i Komisionit për Ballkanin në Bundestagun Gjerman, Josip Juratoviq, ka pohuar publikisht se Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq ndajnë një “bashkëpunim të heshtur” për të mbajtur njëri-tjetrin në pushtet. Prandaj të gjitha marrëvrshjet në mes tyre i cilësoi si “marrëveshje me fik në xhep”.

Deklaratat e Juratoviqit, të mbështetura nga shqetësimet e diplomatëve ndërkombëtarë, e përforcojnë idenë se incidentet si sulmi në Banjë dhe vëndosja e eksplozivit në kanalin e Ibër Lepencit janë të sinkronizuara me zhvillimet politike në Serbi. Në këtë mënyrë, të dyja palët krijojnë një klimë frike, duke u munduar që përmes efektit të tyre të justifikojnë politikat e tyre të dështimit të brendshëm.

Pas tetorit 2019 po përballemi me një dështim sistematik e shumëdimensional të qeverisë në Kosovës, e cila ka dëshmuar mungesë të vizionit dhe paaftësi në përmbushjen e premtimeve elektorale. Nga refuzimi i Marrëveshjes së Uashingtonit, Marrëvrshjes së Brukselit me njohjen e ndërsjellë, e deri te moskoordinimi me partnerët ndërkombëtarë, dhe seria e marrëveshjeve antikushtetuese në Bruksel e Ohër, Kosova ka humbur mundësi të rëndësishme për zhvillim dhe stabilitet.

Refuzimi i projektit të gazit, që do të rriste pavarësinë energjetike të vendit, dhe anulimi i kontratës për ndërtimin e termocentralit me ContourGlobal, janë shembuj të vendimeve të njëanshme që kanë dëmtuar rëndë interesat strategjike të Kosovës. Për pasojë, sot vendi përballet me krizë energjetike, rritje të kostove dhe mungesë të investimeve ndërkombëtare.

Për më tepër, qeveria nuk ka arritur të forcojë institucione të rëndësishme si sistemi i drejtësisë apo administrata publike. Përkundrazi, ajo është përpjekur që për efekte populiste, duke e ditur se vijnë ndesh më kushtetutën e ligjin për zgjedhjet, të ndërhyjë në mënyrë të njëanshme në sistemin zgjedhor dhe në strukturat e pakicës serbe, duke rrezikuar legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Qasja manipulative me frikën dhe krizat, sjellë pasoja politike që nuk ndihmojnë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Përkundrazi, ajo ka thelluar hendekun me aleatët strategjikë si SHBA dhe BE, të cilët kanë shprehur shqetësime për politikat e njëanshme dhe mungesën e koordinimit. Përjashtimi nga sistemi zgjedhor nuk mund të jet vendim politik, por nevoitet vendim gjyqësor, mbi bazën e një akuze apo hetimi ex oficio, në kohën kur është kryer krimi. Pastaj është ligji mbi zgjedhjet që i nxjerrë vetëvetiu nga sistemi zgjedhor. Prandaj format e veprimit të kësaj qevrrie në KQZ por edhe Kuvend, janë për efekte populiste elektorale.

Në aspektin e brendshëm, narrativat e përhershme për kërcënime nga Serbia kanë krijuar një klimë pasigurie, duke dekurajuar investitorët e huaj dhe duke dëmtuar zhvillimin ekonomik të vendit. Mesazhi që përcillet është i qartë: Kosova nuk është një vend i sigurt për investime.

Tani është koha për llogaridhënie dhe përgjegjësi. Njëherë e mirë duhet mbyllur kjo shkollë e vjetër, të minimit të procesit shtetformues duke na i bërë “heronjtë politik”.

Në mes deklaratës së Beogradit se “Kurti përmes lidhjeve të veta, po i nxitë protestat kundër pushtetit të Vuçiqit” dhe deklarimot apo thirrjes së Kurtit drejtuar diplomatëve të akredituar në Kosovë se “duhet të bëjnë presion ndaj Serbisë që ta parandalojnë sulmin e mundshëm të Serbis në Kosovë”, po mundohen të na e portretizojnë “HEROIN”, i cili me çdo vendim e veprim politik “po e kthen Serbin në Kosovë”.

Kosova nuk mund të vazhdojë të funksionojë mbi baza populizmi dhe kriza të sajuara. Një qeveri e përgjegjshme duhet të përqendrohet në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, fuqizimin e institucioneve demokratike dhe ndërtimin e partneriteteve të forta ndërkombëtare.

Populli i Kosovës ka nevojë për udhëheqës që punojnë për interesat e tij, jo për përfitime personale apo politike. Është koha për t’i thënë mjaft propagandës dhe për të kërkuar ndryshime reale që do të sjellin zhvillim dhe prosperitet për vendin tonë.