Lajme

Berisha kritikon Qeverinë: Dështim katastrofal mos ekzekutimi i pagave dhe ndërprerja e furnizimit me ushqim i FSK-së

10/01/2024 09:07
nga:G B

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka kritikuar Qeverinë për mos ekzekutim të pagave për shërbyesit civilë, raporton Gazeta Blic.

Ai thotë se kjo është papërgjegjshmëri nga ana e Ministrisë së Financave.

“Deri ku shkon papërgjegjshmëria e një qeverie anti popull dhe antishtet. Paralajmërimi nga vlerësimet e mëhershme se kjo qeveri po e falimenton shtetin jo vetëm në aspektin politik, zhvillimor, ekonomik e social, tani po tregon edhe nivelin e papërgjegjmërisë së papranueshme në një kohë të krizës së vazhdueshme ekonomike dhe sociale, të dështojë të lëshojë pagat për sektorin publik”, shprehet ai.

Sipas deputetit, mos marrja e pagave nga ta është shkelje e rëndë e të drejtave të tyre.

“Këta punonjës janë shtylla kryesore e funksionimit të institucioneve dhe ofrimit të shërbimeve publike, dhe mosmarrja e pagave të tyre në kohë është një shkelje e rëndë e të drejtave të tyre dhe një tregues i qartë i keqmenaxhimit të financave publike”, vlerëson ai.

Berisha po ashtu e sheh alarmante përfundimi e furnizimit me ushqim të FSK-së.

“Në të njëjtën kohë, është alarmante që sot përfundon edhe furnizimi me ushqim për Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), për shkak të skadimit të kontratës së operatorit të mëparshëm, ndërsa operatori i ri nuk është i gatshëm të ofrojë këtë shërbim për disa muaj. Ky është një dështim katastrofal për qeverinë dhe strukturat përgjegjëse për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit. Forcat tona të sigurisë, që janë me mision specifik, nuk mund të lihen pa furnizim me ushqime, pasi kjo prek direkt moralin, efikasitetin dhe përgatitjen e tyre operacionale”, thekson deputeti.

Këto ai i sheh si dështim të Qeverisë.

“Mos lëshimi i pagave për punëtorët e sektorit publik dhe mungesa e furnizimit me ushqime për FSK-në janë tregues të një dështimi të gjerë në planifikimin dhe zbatimin e politikave publike. Qeveria duhet të marrë përgjegjësi për këtë situatë dhe të sigurojë një zgjidhje të shpejtë, duke shmangur më tej dështime të tilla që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe sigurinë e vendit”, deklaron deputeti i PDK-së, Hisen Berisha./Gazeta Blic/