Lajme

Berisha kritikon Maqedoncin për takimin e tij me Dejona Mihalin

02/12/2024 13:02
nga:G C

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka pasur një përplasje fjalësh me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Berisha e ka pyetur ministrin për takimin me Dejona Mihali. Pasi ministri ka thënë se nuk ka pasur asgjë të keqe në takim, ka reaguar ashpër deputeti Berisha.

“Nuk është legjitime, nuk u dalë me marrë vota, nuk është qytetare e Kosovës. Ti je ministër i Mbrojtjes në situatën më të ndishme ndonjëherë. Ka shumë rëndësi mos me u taku me të. Nuk je deputet, nuk ki nevojë me i raportu asaj. Ti raporton këtu. Unë kam mëndu që ty të ka mbet naj grimë UÇK. Maje pak. S’ki nevojë me përmend ma hiç”, ka thënë Berisha.

Por, ministri Maqedonci ka deklaruar se takimi me Mihalin ka qenë shoqëror dhe se mohoi të ketë marrë urdhra prej saj.

Ai ka thënë se takimi me të ka qenë gjatë një vikendi në Gërmi, së bashku me dy miq të tij.