Sporti

“Bëri një vesh shurdhër, rrezikoi”, si Shqipëria i shpëtoi karrierën Sylvinhos

11/23/2023 10:32
nga:Lorik J

Me Sylvinho-n në stol, Shqipëria shkoi në “Euro2024” si kokë grupi, me 15 pikë, një rekord historik ky, por jo vetëm kaq, braziliani është trajneri që theu shumë tabu në këtë fushatë kualifikuesesh. Pavarësisht se Edy Reja ka grumbulluar me shumë pikë(18), rekordi i pikëve i takon Sylvinho-s pasi Shqipëria bënte pjesë në një grup me 5 ekipe. Me 1.88 pikë për ndeshje, Sylvinho mban dhe rekordin e pikëve të marra.

Këto shifrat do të ishin të pabesueshme nëse Shqipëria do ta mbyllte me 19 pikë, aq sa të gjithë besonin pas fitores kundër Republikës Çeke, por ky është tashme një diskutim i mbyllur. Kualifikimi i Shqipërisë me Sylvinho-n në stol ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave spanjolle, ku “Sport.es” i ka kushtuar një speciale ish lojtarit të Barcelonës, bastin që ai mori përsipër në një moment kur karriera e tij si trajner i parë nuk ishte pozitive, me dy shkarkime nga Corinthias dhe Lyon:

“Federata Shqiptare e Futbollit e thirri atë për ta emëruar trajner, një post, teorikisht, për të qeshur në panoramën e futbollit europian. Sylvinho bëri një vesh të shurdhër ndaj atyre miqve që e këshilluan të mos e lidhte emrin e tij me Shqipërinë. Ai mori një vendim me rrezikshmëri të lartë, duke pranuar postin në janar të këtij viti… dhe në fund ia doli. Shqipëria do të garojë në fazën finale të Evropianit për herë të dytë në historinë e saj. Ata u kualifikuan në një grup ku favoritë ishin Polonia e Lewandowskit dhe Çekia. Imazhi i Sylvinho-s është riparuar në vendin e tij dhe ai ka fituar besueshmëri ndërkombëtare. Në moshën 49-vjeçare, ai është ende një trajner i ri, studios, këmbëngulës dhe shumë elastik”, shkruhet ndër të tjera në artikullin e Sport.