Lajme

Beqiri tregon me cilën parti mund të bëjë koalicion LDK – i bindur se do të dalin fitues: Do t’i kemi mbi 33 deputetë

12/27/2024 17:52
nga:G B

Mundësitë për koalicione diskutohen çdoherë kur ka zgjedhje. E, se a preferon koalicione LDK dhe me kë mund t’i bëjë ato, për Gazeta Blic ka folur Ismet Beqiri, kandidat për deputet nga kjo parti.

Ai thotë se LDK e ka qëllim fitoren dhe synimi i kësaj partie është që ta udhëheq qeverinë.

“Unë besoj që çdo rezultat që nuk e bën pjesë të qeverisë Abdixhikun, nuk do të ishte rezultat i mirë dhe nuk besoj se duhet të jetë synim vetëm marrja e qeverisë por me i fitu zgjedhjet. Nuk mund të paragjykoj sot por synimi i LDK-së duhet të jetë ta udhëheqë qeverinë”, thekson Beqiri.

Ai potencon se LDK shpesh ka marrë goditje për shkak të koalicioneve, por që çdoherë ka menduar për të mirën e vendit.

“Nuk e them sot sepse është njëfarë rregulli që duhet marrë një mendim, mendoj që ne në shumë raste LDK ka marrë goditje sepse ka menduar për vendin, edhe kur kanë qenë disa koalicione që nuk janë menduar. Për momentin mendojmë dhe punojmë vetëm për t’i fituar zgjedhjet dhe s’kam asnjë opsion se si duhet të sillet LDK-së si e dytë por si fituese, si e para”, shprehet kandidati për deputet.

Se a preferon koalicion me VV-në apo PDK-në, Beqiri vlerëson se koalicionet me të dyja partitë i kanë bërë dëm LDK-së, teksa thotë se s’mund të bëjnë koalicion me VV-në, marrë parasysh dëmet që i ka bërë vendit.

“Unë e thash pak më herët se ne kemi pasur përvoja jo të mira dhe kemi bërë koalicione duke menduar për të mirën e vendit edhe kur nuk na ka konvenuar koalicioni me PDK-në dhe tash duhet analizuar shumë mirë sepse ky interesi i vendit gjithmonë po e dëmton edhe LDK-në sepse edhe të tjerët do të duhej të mendonin për interes të vendit dhe të mos sillen siç po sillen. Nuk na ka dalë mirë as me VV-në. Dëmi që i kanë bërë vendit nuk do të mund të bënim koalicion me ta derisa janë këta që janë dhe do të ishte e vështirë nesër të arsyetohemi para qytetarëve e mbi të gjitha para ndërkombëtarëve sepse në këtë qeverisje raportet me ta janë përkeqësuar, ka qenë skandaloze çfarë kanë bërë, na i kanë prishur raportet dhe na duhet një angazhim i jashtëzakonshëm për t’i rregulluar ato, sepse siç ka thënë presidenti ynë “pa miq nuk mbahet shtëpia” dhe ne nuk mund të sillemi siç janë sjellë këta VV dhe jam i bindur që me LDK-në kjo situatë do të tejkalohet. Besoj që ksaj qasje të keqe i vie fundi me 9 shkurt”, deklaron ai.

Po ashtu, Beqiri ka thënë se LDK do të dalë e para dhe se do t’i ketë 33-35 deputetë, ndërsa synimi është që VV të dalë në opozitë.

“Varet tash sa do të jetë përqindja dhe tek të tjerët por unë besoj se do të dalim të parët dhe unë mendoj që nën 33 -35 deputetë në asnjë rrethanë nuk mbesim. Synimi është që t’i fitojmë zgjedhjet, VV të dalë në opozitë dhe ne ta shohim se me cilët mund të qeverisim dhe si mund të qeverisim, gjithmonë për të mirën e qytetarëve”, ka përfunduar Ismet Beqiri./Gazeta Blic/