Skuadra e Llapit ka kaluar në finalen e Kupës së Kosovës në futboll.
Llapi ka mposhtur Prishtinën me rezultatin e përgjithshëm 5-4, për të siguruar një vend në finalen e madhe të Kupës së Kosovës. Takimi i parë i zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi me fitoren e Llapit 2-3, kurse sot takimi kthyes dhe vendimtar përfundoi me rezultatin 2-2, me ç’rast i siguroi Llapit një vend në finale.
Kryetari i klubit të Llapit, Beqir Batatina ka theksuar se kalimi në finale është historike për klubin e Llapit dhe familjen e tij, ndërsa shtoi se lojtarët do të shpërblehen për këtë sukses.
“Po, kjo është historike për ne si familje dhe për gjithë Llapin. E kemi ditë se do të jetë shumë e vështirë, po lojtarët e dëshiruan këtë fitore me zemër. Do të ketë shpërblim për të gjithë lojtarët”, tha fillimisht Beqir Batatina për ‘GazetaBlic Sport’.
Batatina më pas tha se do të hyjnë me të gjitha forcat në finale, në mënyrë që të sjellin Kupën në Podujevë.
“Po, gjasat janë shumë të mëdha për ta fituar Kupën, por ne e dimë se e kemi edhe një lojë dhe dë të hyjmë me të gjitha forcat për ta sjellë Kupën në Llap, për arsye se 88 vite klubi nuk ka marrë asnjë trofe. Për ne do të jetë një histori e madhe nëse Kupa vjen në Llap”, përfundoi kryetari i Llapit, Beqir Batatina.
Vlen të theksohet se finalja e sivjetshme e Kupës së Kosovës në futboll do të zhvillohet mes Llapit dhe Dukagjinit.
/GazetaBlic Sport


