Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa ka folur rreth deklaratës së fundit që dha i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ku u shpreh se draft-statuti i dorëzuar nga ekipi menaxhues, tashmë i shkarkuar, nuk është përfundimtar, por pikënisje për diskutimet e radhës.
Beqa në një prononcim për GazetaBlic thotë se, Qeveria Kurti nuk është treguar serioze sepse sipas tij, ky ekip menaxhues duhej të shkarkohej qysh më herët.
Beqa shtoi se nuk duhet marrë parasysh dokumentet e këtij ekipi menaxhues që të ketë bisedime tutje.
“Qeveria e Kosovës është vonuar në shkarkimin e ekipit menaxhues për Asociacionin, qeveria është treguar joserioze. Edhe pse ka pas mungesë transparence, unë mendoj se edhe pse ai ekip është i shkarkuar me vonesë, nuk duhet të merremi me dokumentet e tyre për të biseduar më tutje”, tha Beqa.
Beqa potencoi se Qeveria e Kosovë duhet të bashkëpunojë me faktorët ndërkombëtar që të formohet një ekip menaxhues i ri.
“Qeveria duhet të bashkëpunojë me faktorët ndërkombëtar të kemi një ekip menaxhues të ri dhe në bazë të tij të veprohet tutje”, tha Beqa për GazetaBlic.
Kujtojmë se, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka qëndruar dje për vizitë në Zvicër, ku ka takuar diplomaten Livia Leu, me të cilën ka diskutuar për ecurinë në procesin e dialogut.Gjatë këtij takimi, Lajçak e ka vlerësuar me më rëndësi takimin e nivelit të lartë në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb.
“Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti u takuan në Bruksel për të diskutuar një çështje vendimtare të personave të zhdukur. Jam i kënaqur që të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku për të sqaruar vendndodhjen e njerëzve që u zhdukën gjatë luftës. Ne mirëpresim miratimin e palëve të deklaratës për personat e zhdukur dhe presim që ato të bëjnë përparim në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur. Kjo jo vetëm që do t’i ndihmojë familjet e tyre të gjejnë paqe, por edhe do të avancojë normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Lajçak.
Lajçak theksoi se drafti i paraqitur nga ekipi menaxhues është pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme.
“Palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga ekipi menaxhues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e Kryenegociatorëve”, u shpreh Lajçak.
Ekipi Menaxhues për hartimin e draftit për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shkarkuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës.
Drafti i parë i prezantuar është cilësuar si i papranueshëm për Kosovën nga kryeministri Albin Kurti.