Lajme

Beqa: Kurti ka ngecur në dialogun me Serbinë, Qeveria që po vjen është Qeveri e shpresës

12/18/2024 14:19
nga:G C

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka deklaruar se Qeveria që do të formohet nga Bedri Hamza, do të jetë një qeveri e shpresës për qytetarët e Kosovës.

Ai theksoi se Hamza, i cili është propozuar për kryeministër, ka një njohuri të thellë për problemet e brendshme të Kosovës dhe është i njohur për integritetin dhe përkushtimin ndaj Kosovës.

“Qeveria që po vjen është qeveri e shpresës, një qeveri që e njeh Kosovën nga brenda dhe i njeh problemet e secilit komunitet. Bedri Hamza ka mbështetje gjithëpërfshirëse, jo vetëm nga anëtarët e partisë, por edhe nga qytetarët, të cilët i besojnë të kaluarës dhe integritetit të tij”, tha Beqa.

Në lidhje me politikat ekonomike, Beqa nënvizoi se një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme do të jetë rritja e pagave për 50%, duke siguruar veprime konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e Kosovës. “Ne jemi zotuar që nga fillimi i qeverisë tonë do të rrisim pagat dhe do të marrim veprimet e duhura në çdo sektor. Kosova ka nevojë për veprime konkrete që lehtësojnë jetën e qytetarëve të saj”, theksoi ai.

Për Beqën, dallimi mes Bedri Hamzës dhe kryeministrit aktual Albin Kurti qëndron në qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e vendimeve. Ai theksoi se Hamza është një lider që e mendon mirë çdo hap dhe qëndron pas vendimeve të tij, ndërsa Kurti është treguar i paqëndrueshëm dhe labil në veprimet e tij.

“Ne kemi një Qeveri të dobët, një qeveri që nuk ka performancë dhe që nuk mund të mburremi me të. Ka ngecur në shumë fusha, përfshirë ekonominë dhe dialogun me Serbinë”, përfundoi Beqa./GazetaBlic/