Benjamin Pavard, mbrojtësi që do të nisë të mbrojë titullin e fituar në Botërorin 2018 me Francën, ka nxjerrë në pah kandidatët kryesorë për të fituar turneun që nis më datë 20, në Katar.
“Argjentina, Brazili, Gjermania, Anglia… por kujdes me Portugalinë dhe Belgjikën”, ka thënë francezi në një intervistë për gazetën Gazzetta dello Sport.
“Do të jetë një kampionat i mirë botëror. Zakonisht ka gjithmonë ndonjë surprizë që përfiton nga eliminimi i një përzgjedhjeje të madhe”, shtoi ai, përcjell GazetaBlic Sport.
Për paraqitjen e Francës, e cila vjen nga një pjesëmarrje më pak e suksesshme në Kampionatin Evropian 2020 (u eliminua nga Zvicra në 1/8): “Ishte një zhgënjim i madh, por ne mbetemi të bashkuar. Ishte një përvojë negative që na ndihmoi të rriteshim. Në Katar do të jemi ndër favoritët, por i dimë gabimet që nuk mund të bëjmë”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/