Ndërsa Evertoni po kompletonte fitoren e fundit në Premier League, me siguri se trajneri Rafael Benitez e kishte parasysh se treshja e tij sulmuese në fushë kushtonte gjithsej rreth dy milionë euro.
Premier League edhe këtë verë e tregoi fuqinë përballë ligave të tjera – klubet elitare të Anglisë shpenzuan rreth 1.5 miliardë euro gjatë afatit kalimtar të verës – megjithatë te skuadra e Evertonit pati një përmbysje të qasjes ekstravagante në krahasim me vitet e shkuara.
Benitez iu bashkua klubit në muajin qershor në një kohë protestash nga disa tifozë për shkak të lidhjeve të tij të forta në të kaluarën me Liverpoolin – rivali lokal i Evertonit – por edhe për “shtrëngim të rripit” sa i përket uljes së shpenzimeve, gjë që nuk ishte parë në klub në pesë vjetët e fundit me aksionarin Farhad Moshiri.
Duke pasur parasysh këto rrethana, askush nuk ka pritur që gjërat të shkojnë kaq mirë për Evertonin këtë edicion. Pas katër xhirove në Premier League asnjë ekip nuk ka më shumë pikë se Evertoni, dhjetë. Nga dhjetë pikë i kanë edhe Manchester Unitedi, Chelsea e Liverpooli. Krahas startit të mirë në kampionat, Evertoni ka startuar me fitore edhe në League Cup dhe e gjithë kjo falë ndryshimeve të papritura taktike të Benitezit. Ndjenjat kundër Benitezit në mesin e disa tifozëve të Evertonit mund të mos zhduken kurrë, por për momentin trajneri spanjoll po i hesht të gjithë me punën e tij.
Një fitore në udhëtim ndaj Aston Villas të shtunën mund ta lërë Evertonin të vetëm në krye të klasifikimit, edhe pse vetëm për një natë. Edhe kritikët më të mëdhenj të Benitezit kanë filluar të pranojnë përparimin e bërë nga spanjolli që nga kthimi i tij në futbollin anglez. Dy nga tri fitoret e Evertonit në ligë erdhën pas disavantazhit dhe të dyja ndeshjet përfunduan me rezultatin 3:1, kundër Southamptonit dhe së fundmi Burnleyt të hënën, për të nxjerrë në pah qëndrueshmërinë mendore që Benitez tashmë ka futur në ekip e të cilën nuk e kishin trajnerët e mëparshëm.
Nëse nuk do të kishte një barazim të vonshëm ndaj Leeds Unitedit (2:2), Evertoni do të ishte ekipi i vetëm me pikë maksimale pas katër javëve të luajtura në elitën e futbollit anglez.


