Sonte zhvillohen dy ndeshjet e para të çerekfinales së Kampionatit Evropian.
Priten dy ndeshje jashtëzakonisht interesante, atje ku do të kuptohen dy kombëtaret e para që do të arrijnë në gjysmëfinale, shkruan GazetaBlic Sport.
Një super ndeshje do të jetë ajo në mes Belgjikës dhe Italisë, ndeshje kjo që luhet në ora 21:00.
“Allianz Arena” do të jetë nikoqire e një finale para finales ashtu siç pritet të jetë kjo ndeshje.
Të dy kombëtaret kanë treguar paraqitje fantastike në këtë Kampionat Evropian, por njëra sonte do t’i thotë lamtumirë për këtë vit këtij kompeticioni.
Kanë “avulluar” brenda pak orësh të gjitha 14 500 biletat që ishin nxjerrë në shitje, një ndër çerekfinalet më të pritura të këtij Europiani.
Për shkak të Covidit kapaciteti në Allianz Arena, që UEFA e emërton për eventin si Futboll Arena e Mynihut, është reduktuar në 20% të kapacitetit, dhe ata që kërkonin të siguronin një vend në stadium përmes faqes zyrtare të qeverisë europiane të futbollit shumë shpejt janë përballur me tabelën Sold Out.
Të gjitha biletat të shitura, por ndërkohë siç ndodh rëndom, në tregun e zi po bëhet kërdia pasi online gjenden ende bileta, vetëm se me çmimin deri në pesëfish më shumë se sa ishte ai fillestar i përcaktuar nga UEFA.
Italianët po bëjnë çfarë është e mundur për të siguruar një biletë, duke iu drejtuar dhe grupeve që krijohen në këto raste në Facebook, por janë përballur me rritjen e menjëhershme të biletave, pasi brenda pak orëve, çmimet e biletave që fillimisht kushtonin nga 75 deri në 225 euro, janë bërë një mollë e ndaluar për shumë tifozë, pasi në Ebay për momentin gjenden me 630 euro ndërsa në sajte të tjerë të specializuar kushtojnë edhe 1200 euro.
/GazetaBlic Sport/


