Lajme

Bekim Jashari për masakrën në kullë: E gjithë lagjja u rrethua për 5 minuta

11/30/2021 00:09
nga:Gazeta Blic

Bekim Jashari e kishte të pamundur t’i mbante lotët teksa foli për emisionin “Opinion” rreth masakrës e kryer në kullën e Jasharajve.

Ai humbi nënën dhe babanë, shtatë vëllezër dhe motra, gjyshërit, dy xhaxhallarët dhe fëmijët e tyre. Masakrës i shpëtoi e gjallë motra Besarta, ndërsa vetë Bekimi atëherë ndodhej në Gjermani.

“Pushka e fundit u shënua më 7 Mars në ora 16:00”, tregon Bekimi duke kujtuar për tre ditët e rezistencës së Jasharajve.

Ai ndalet në kërkesën personalisht të Milosheviqit për likuidimin e Adem Jasharit.

“Ka pasur kërkesa dhe presioni që edhe ta lënë Kosovën, të dalin jashtë dhe nuk do i ngucim. Për sulmin e fundit unë e kam parë një dokumentar, kur shefi i armatës jugosllave e thotë: ‘Familja Jashari është kapitull më vete. Kam pasur urdhër nga Milosheviqi që të likuidohet Adem Jashari. Nuk ka qenë fare diskutim në tavolinë se sa do dëmtohet pala jonë apo pala e kundërt’, ka cituar Bekimi, i cili shton se sipas dëshmitarëve okularë e gjithë lagjja është rrethuar brenda pesë minutave.