Sporti

Bekim Isufi e shijon humbjen, Drita e mposht Malishevës

09/18/2024 16:59
nga:Lorik J

Skuadra e Malishevës ka regjistruar humbjen e parë këtë sezon në Superligën e Kosovës në futboll.

Drita ishte ekipi që ia shkaktoi Malishevës disfatën e parë, pasi e mposhti në ndeshjen e mbetur të xhiros së parë.

Në duelin e luajtur të mërkurën në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, Drita triumfoi me rezultatin e ngushtë 2:1.

Një gol në pjesën e parë dhe një tjetër në të dytën, i mjaftuan Dritës për të regjistruar fitoren e dytë në elitën e futbollit kosovar pas tri ndeshjeve të luajtura.

Rezultati i takimit u zhbllokua në minutën e 24-të kur Besnik Krasniqi realizoi nga penalltia për ta kaluar Dritën në epërsi 1:0.

Drita e dyfishoi epërsinë në minutën e 59-të me golin e shënuar nga Veton Tusha pas asistimit të Iljasa Zulfiut.

Krejt çka arriti Malisheva të bëjë deri në fund të takimit ishte ta ngushtoj rezultatin në 2:1, falë golit të Altin Aliut në minutën e 79-të.

Me këtë fitore, Drita ka tubuar 6 pikë, katër më pak se Malisheva që ka dy ndeshje më shumë të luajtura se skuadra nga Gjilani.