Lajme

Bekim Haxhiu tregon veçantinë e numrit 109 në listë për deputet, i bindur në fitore me mbi 35 për qind: Me VV-në s’ka koalicion

01/08/2025 12:26
nga:G B

Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së, synon për të gjashtën herë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka treguar për veçantinë e numrit 109, të cilin e mban që nga hera e parë e kandidimit.

“Me këtë kam dashur të dëshmoj që numri nuk është i rëndësishëm në kandidim por puna që bën në Kuvend. Ka qenë rastësi kur në vitin 2010 kam qenë numër 109 dhe më pas është bërë si numër i patentuar pasi qytetarët e kanë mësuar por është puna ajo që të bën deputet, sepse ata që e vlerësojnë atë në ditën e zgjedhjeve e gjejnë edhe numrin 109 edhe numrat tjerë. Kam dashur ta dëshmoj se më shumë se numri është puna ajo që ti bën për qytetarët. Jam përpjekur që për këto 5 mandate të qëndroj afër qytetarëve dhe kjo është vlerësuar. Kam premtuar që herën e parë që të gjithë qytetarëve do t’ua hap telefonin dhe do t’u jap zgjidhjeve çështjeve që mund të marrin zgjidhje menjëherë dhe qytetarët kanë nevojë për politikëbërës të përgjegjshëm. Në këto zgjedhje besoj shumë që qytetarët janë të vetëdijshëm që nuk mund të premtosh në zgjedhje gjithçka dhe të mos realizosh asgjë, çfarë ka ndodhur me këtë qeveri dhe ata e kanë në dorë ta vetëdijesojnë politikën dhe politikanët, sepse kur premton dhe nuk realizon, qytetari kërkon llogari dhe pastaj edhe të ndëshkojnë me votë”, shprehet ai.

Deputeti ka thënë se PDK do t’i fitojë zgjedhjet dhe do të tejkalohet rezultati i 2014-ës, derisa ka thënë se Bedri Hamza është kandidati i duhur për ta nxjerrë Kosovën nga kriza politike dhe ekonomike.

“Jam i bindur që PDK në këto zgjedhje do ta kalojë rezultatin e vitit 2014. Është e mundur sepse e gjithë struktura e partisë, prej atyre që kanë qenë më herët, themeluesit e deri te ata që janë sot që bartin përgjegjësi, janë të mobilizuar rreth programit qeverisës të Bedri Hamzës sepse ne e kemi zgjedhur më të mirin prej më të mirëve, kandidat për kryeministër, një profesionist i shkëlqyer, në kohën e Bedri Hamzës janë realizuar projektet më të mëdha për vendin. Janë realizuar për 8.5 miliardë euro dy autostrada që unë më shumë u them që janë arterie të kombit sepse kanë thyer barrierat e komunikimit edhe me Shqipërinë edhe me Maqedoninë dhe janë përfunduar me mijëra projekte tjera në infrastrukturë përfshirë shkolla, rrugë, kanalizime dhe ka pasur edhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, janë rritur pagat, ka përvojën e duhur, është profesionist i jashtëzakonshëm, njeri i pakorruptuar, që ka menaxhuar miliarda dhe asnjë nuk e ka marrë për vete dhe njeriu i duhur që mund ta nxjerr vendin nga kjo krizë edhe ekonomike edhe në politike në raport me partnerët ndërkombëtarë”, vlerëson Haxhiu për Gazeta Blic.

Duke folur për kërkesën e kryeministrit Kurti dhe VV-së që t’i marrin 500 mijë vota, ai thotë se ajo parti nuk ka bërë asgjë në qeveri për të kërkuar vota të tilla dhe se nuk i ka mbajtur premtimet.

“Çka ka ofruar VV që t’i kërkojë 500 mijë vota. Ju ka ofruar mashtrimin, mos përmbushjen e asnjë prej premtimeve dhe zotimeve, nuk po flas për premtime të fushatës por kjo qeveri nuk e ka realizuar as atë që e ka shkruar në programin qeverisës”, thekson ai.

Haxhiu përjashton mundësinë e një koalicioni me VV-në pas 9 shkurtit, nëse ka nevojë për koalicione, derisa thotë se Vetëvendosje do të shkojë në opozitë.

“Jo, nuk do të ketë koalicion me Vetëvendosjen. VV do të shkojë në opozitë pas 9 shkurtit, e meriton opozitën sepse nuk ka përmbushur asnjë prej zotimeve dhe premtimeve. Për çka të qëndrojë VV në pushtet, për të mashtruar, gënjyer, abuzuar, vjedhur dhe për t’i mbrojtur hajnat? Nuk e votojnë qytetarët e Kosovës një subjekt politik që del në mbrojtje të atyre që e shkelin ligjin dhe abuzojnë me paranë publike. PDK e ka të qartë që në zgjedhje ka hyrë për t’i fituar ato dhe që udhëheqjen e Kosovës dhe qeverinë e Kosovës ta udhëheq kryeministri i ardhshëm, Bedri Hamza. Nuk do të ketë koalicion me Vetëvendosjen personalisht dhe po mendoj si parti politike jemi të qartë që Vetëvendosje duhet të shkojë në opozitë dhe kjo do t’i vetëdijesojë edhe partitë tjera politike, kushdo që është në qeveri, që nuk mund të premtojnë dhe të shkruajnë programe qeverisëse e t’i shkelin ato”, deklaron deputeti.

Ai është i bindur se PDK në zgjedhjet e 9 shkurtit do t’i marrë mbi 35 për qind të votave.

“PDK po punon shumë që të dalë parti e parë, fituese dhe jam i bindur se do të tejkalohet rezultati i zgjedhjeve të vitit 2014 dhe si PDK do t’i kemi mbi 35 për qind”, përfundon kandidati për deputet nga PDK, Bekim Haxhiu./Gazeta Blic/