Lajme

Bekim Haxhiu i ashpër me Specialen: E vërteta s’duhet të shtrembërohet, lufta e UÇK-së ishte e drejtë

02/09/2026 10:03
nga:Genita C

Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka komentuar nisjen e etapës përmbyllëse të procesit më të madh gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook, ai tha se sot fillon beteja vendimtare për të vërtetën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pos tjerash, ai shtoi se në Hagë po tentohet të rishkruhet historia, siç tha ai, përmes shpifjeve dhe dokumenteve të fabrikuara në Beograd, me synim që agresori të paraqitet si viktimë, e çlirimtarët si fajtorë.

Sipas ‘Kamishit’, kjo nuk është vetëm betejë ligjore, është betejë për drejtësi, të vërtetën e luftës për liri dhe ekzistencën e shtetit të Kosovës.

“Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare. Ajo u mbështet fuqishëm nga NATO. Ajo u bë për liri, për mbijetesë dhe për dinjitet njerëzor”, ka shkruar Haxhiu në facebook.

Ndër të tjera, ish-deputeti tha se kjo e vërtetë nuk guxon të shtrembërohet nga propaganda dhe akuzat e rreme të Serbisë përmes dorës se zgjatur të prokurorisë në Hagë.

“Sot më shumë se kurrë duhet zë i fortë, unitet kombëtar dhe angazhim shtetëror, për viktimat për të zhdukurit shqiptar dhe për heronjtë që ranë për lirinë tonë. Liri për çlirimtarët. Drejtësi për luftën e drejtë të popullit të Kosovës. E vërteta nuk gjykohet, ajo mbrohet”, përfundoi ai shkrimin e tij.