Një ekspert tjetër i komunikacionit, ka dilema nëse ky ligj do të ndikojë në sigurinë në komunikacion.
Bekim Ahmeti, thotë se problemi qëndron në faktin se policia nuk ka mbulueshmëri në tërë territorin e Kosovës.
“Mendoj se do të ketë një efekt pozitiv por nuk e di sa do të ketë ndikim të mëtutjeshëm sa i përket përmirësimit të sigurisë në komunikacion. Natyrisht që do të ketë efekt por problematike qëndron që jemi në situatë ku nuk mbulohet krejt territori i Kosovës nga Policia. Këto ankesa i kanë bërë vetë krerët e Policisë, komandantë, eprorë, që thonë se ndikimi i tyre shtrihet në dy pika, në shkelësit e rendit dhe ligjit ku ju shqiptohen gjobat në kufizim të shpejtësisë dhe një pikë tjetër janë aksidentet, ndërsa pikat tjera nuk mund t’i mbulojnë”, thotë ai.
Sipas tij, zgjidhja është inteligjenca artificiale, radarët mobil dhe statik dhe kamerat.
“Se cila do të ishte zgjidhja, mendoj që inteligjenca artificiale, radarët mobil dhe statik dhe kamerat, që do ta bëjnë një efekt shumë të mirë e pastaj pasi ta instalojmë inteligjencën artificiale të shohim a ka nevojë për ngritje të gjobave e jo kështu sepse sipas mendimi tim kjo ka ndodhur prej anës së kundërt, nga fundi pasi mendoj se inteligjenca artificiale është e nevojshme tash e 20 vite”, shprehet ai.
Ahmeti vlerëson se duhet t’i marrim praktikat e vendeve evropiane, ku përdoret inteligjenca artificiale, në mënyrë që të mos ketë qytetarë të privilegjuar.
“Syri i policit ne e dimë si është, dikë e falë e dikë jo, atëherë në këtë mënyrë do ta kishim hequr këtë dhe do ta kishim inteligjencën artificiale. Kësisoj vepron tërë Evropa dhe bota e përparuar në aspektin e sigurisë në komunikacion, për arsye se një pjesë e popullatës që janë të privilegjuar, zakonisht nuk marrim gjoba për arsye që i di e gjithë popullata, e kësisoj edhe hiqet privilegji edhe shtohet siguria sepse polici sa mund ët gjobitë brenda ditës, ndërsa inteligjenca artificiale për sa kohë t’i lëmë të aktivizuar ata i marrin informacionet dhe i dërgojnë në data bazë dhe kësisoj ndikimi do të jetë jashtëzakonisht i madh”, thekson ai.
Sa i përket mundësisë që policët të korruptohen, eksperti i komunikacionit thotë se kemi polici profesionale.
“Për të qenë i sinqertë, nuk mund të jap një mendim të tillë pasi kemi një polici serioze, sa i përket korrupsionit, s’kam dëgjuar ndonjë rast të korrupsionit të policëve, por për t’i ikur këtyre gjërave zgjidhja është inteligjenca artificiale. Popullata jonë funksionon me një mentalitet “në qoftë se më sheh polici, nuk e bëj atë veprim, përndryshe nëse nuk më sheh unë vazhdoj me avazin e vjetër”. Unë mendoj se kjo logjikë do të shkojë bukur gjatë. Është çështje e kulturës, arsimimit, kulturës dhe do të shkojë edhe një kohë që të arrijmë një shkallë të mesme të kulturës që vetvetiu të parandalojmë atë që është e dëmshme për shoqëri”, deklaron Bekim Ahmeti./Gazeta Blic/