Bekë Berisha, kandidat i AAK-së për deputet, ka një mesazh për të gjithë ata që po vijnë në Kosovë për të bërë përçarje, derisa thotë se ky është vendi ynë dhe se s’ka armiqësi siç po tentohet të paraqitet.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se mërgata duhet të informohen saktë për dështimin pesëvjeçar të Vetëvendosjes, për korrupsionin e propagandën.
“Diasporë fillimisht nuk është mirë t’i thuhet se është farë e humbur. Dhe ata për momentin që kanë drejtë vote këtu, dikur edhe me vullnetin për Kosovën, besoj se do të votojnë për së mbari. Tash unë e kam edhe një mesazh për disa që po vijnë dhe po tentojnë ta bëjnë një përçarje, një ndarje për shkak të komplekseve të tyre, duhet treguar se këtu është vendi ynë, duhet ecur përpara, s’kemi armiqësi qysh po tentohet të paraqiten, ne jemi të këtij vendi dhe na duhet bashkë t’i lëvizim gjërat përpara sepse e kemi pasur një dështim 5 vjeçar, një qeveri të papërgjegjshme që na i ka ndërprerë dialogun strategjik me SHBA-të, pastaj sanksionet nga BE, pastaj është propaganduar për një çlirim të veriut. Por ata duhet vetëm të informohen saktë se çka anë qenë punët e kësaj qeverie, korrupsioni, propagandizmi”, ka thënë ai.
Berisha ka shtuar se ka njerëz që mendojnë se ka ndodhur sovraniteti dhe se janë krijuar disa heronj si Elbert Krasniqi e Xhelal Sveçla, por që kjo nuk është e vërtetë.
“Ka njerëz që mendojnë se ka ndodhur sovraniteti, këto fjalët e mëdha që i përmendin, le të vijnë le ta falënderojnë pra Elbert Krasniqin, për një çlirim siç po mendojnë apo po e përcaktojnë ata që ka ndodhur. Mirëpo, desha t’ua kujtoj se atje ka fituar Lista Serbe në 10 komuna, janë kthyer flamujt serbë, ai sovraniteti i rrejshëm nuk ekziston dhe dua t’i informoj të gjithë qytetarët e Kosovës se neve nuk na frikëson minoriteti serb, janë qytetarë të Kosovës, duhet të integrohen në institucione të Kosovës. Këta veç e kanë kthyer situatën në zero, punë që duhet ta fillojë tash qeveria e re integrimin e tyre. As nuk i urrejmë, as nuk duam t’u bëjmë keq, duam t’i bëjmë të gjitha minoritetet të jetojnë sikur fëmija im, edhe fëmija i tyre, t’i kenë mundësitë e barabarta, ne jemi shtet i pavarur i Republikës së Kosovës, ku i respektojmë të drejtat e të gjithëve, ky lloj populizmi që ka vlejtur deri më tani, sikur ka ndodhur njëfarë lufte e madhe ku janë krijuar disa heronj si Elbert Krasniqi e Xhelal Sveçla, kjo nuk është e vërtetë. Është ndërtuar një urë, mirë boll, tash duhet nisur nga fillimi që të integrohen serbët”, ka deklaruar Bekë Berisha, 4-shi i AAK-së./Gazeta Blic/


