Bekë Berisha, është kandidat i AAK-së për deputet, derisa kandidon për herë të katërt për t’u bërë përfaqësues i popullit në Kuvend.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, tha se Kosova ka pasur një vit të keq sa i përket formimit të institucioneve, për çka fajtore është partia e parë që nuk ka arritur t’i krijojë ato, e as nuk ka reflektuar për këtë.
Sipas tij, data 29 dhjetor do të tregojë nëse partitë janë në gjendje të krijojnë institucione menjëherë.
“E lodhshme edhe për ne si kandidatë po edhe për qytetarët, edhe dihet që e kemi pasur një të kaluar të keqe këtë vit sa i përket formimit të institucioneve. Kemi pasur një parti që ka qenë e para por që s’ka qenë në gjendje as të ofrojë marrëveshje, as të bëjë koalicion, as kompromis, as t’i marrë parasysh rrethanat në Kosovë e të reflektojë pozitivisht për vendin, ka dështuar dhe si rezultat i atij dështimi i partisë së parë, jemi në këtë rezultat, në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ne po e bëjmë punën tonë, populli po reflekton, ka shumë njerëz që janë afruar dhe po besoj që këtë herë do të dalim më mirë edhe si parti por shpresoj shumë që rezultati më datë 29 do të na tregojë a jemi në gjendje që të krijojmë menjëherë institucione, të bëjmë qeveri, të zgjedhim kryeministër dhe të vazhdojmë me punë. Po ashtu e kemi bërë një program jashtëzakonisht të mirë që po vlerësohet nga të gjithë, të cilin duam ta zbatojmë në detaje por kryesorja është që kësaj radhe konkurrojmë që fillimisht të sjellim normalitet, siguri dhe më pas ta zhvillojmë vendin”, ka thënë ai.
Sipas Berishës, janë bërë lojëra të ndryshme për mbajtjen e zgjedhjeve, pasi VV ka dështuar t’i bëjë institucionet.
“Po ka pasur lojëra të ndryshme dhe nuk kanë dashur ta bëjnë qeverinë sepse ata ofertonin LDK-në që nuk pranonin. Ne kemi votuar e kemi zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe pastaj për kohën e caktuar kushtetuese partia e parë nuk i pati votat, nuk qe në gjendje ta formojë qeverinë, edhe pse trumbetonte që i ka, pra dështimi ka qenë te partia e parë, ish e parë se nuk do të jetë më besoj”, ka theksuar kandidati për deputet.
Ai tregon se AAK është mobilizuar dhe presin që t’i marrin 12-13 deputetë dhe do të ketë rol kyç në formimin e qeverisë.
“Mobilizimi ynë kësaj radhe është i jashtëzakonshëm, kandidojmë vet, e kemi krijuar një listë më të mirën ndër partitë tjera dhe besoj se me numrin që do të marrim, 12-13 deputetë, sipas analizave që po i bëjmë edhe në terren dhe me entuziazmin që po e shohim dhe do të kemi rol kyç në krijimin e qeverisë dhe s’do të kemi komplekse të tilla që i kanë pasur deri tash por do të insistojmë që të ketë koalicione, marrëveshje dhe të vazhdohet me qeverisë, siç thashë njëherë kthimi i normalitetit, të sjellim siguri, t’i kemi aleatët afër, t’i rregullojmë raportet dhe të vazhdojmë kah zhvillimi”, ka deklaruar Bekë Berisha./Gazeta Blic/
Më poshtë intervista e plotë:


