Lajme

Bejta: 9 shkurti ditë vendimtare, jo vetëm për të ardhmen politike, por edhe për fatin energjetik të Kosovës!

01/04/2025 12:11
nga:Y I

Kandidatja për deputete e LDK-së, Fiknete Bejta, e cila në këto zgjedhje mban numrin 69 ka reaguar në lidhje me krizën energjitike në të cilën po kalon Kosova.

Bejta tha se Kosova po përballet me një kolaps energjetik që kërcënon ekonominë dhe sigurinë kombëtare dhe se Qeveria nuk ka asnjë vizion për të ofruar zgjidhje.

Ajo tha se është informuar nga miqtë e saj në Ferizaj dhe Gjilan se ndërprerjet e energjisë elektrike shkojnë deri në 8 orë.

“Miq të mi nga Ferizaj dhe Gjilan më shkruajnë e më informojnë se po përballen me ndërprerje deri në 7-8 orë – pikërisht në kulmin e dimrit e temperatura të acarta. Ironikisht, kjo ndodh ndërsa shumë familje varen nga energjia elektrike për ngrohje, si rezultat i subvencioneve të vetë qeverisë për blerjen e pajisjeve ngrohëse. Edhe nata e Vitit të Ri, në shumë vendbanime të Kosovës ishte e zymtë dhe e errët pasi që u aplikuan reduktime.Qeveria Kurti ka refuzuar vazhdimisht çdo alternativë që do të siguronte energji të qëndrueshme për qytetarët. Nga projekti i Contour Global për ndërtimin e një termocentrali të ri, deri te mundësia e ndërtimit të gazsjellësit amerikan – të gjitha janë hedhur poshtë pa një analizë të thelluar” shkruan Bejta raporton “Gazeta Blic”.

Bejta thotë se’nevojitet një qeveri me vizion të qartë për rëndësinë strategjike të energjisë, në një kohë kur burimet energjetike janë epiqendra e konflikteve globale’

“LDK ka ofruar alternativa konkrete, të cilat përkojnë me politikat perëndimore për të shfrytëzuar resurset e gazit amerikan, që tashmë po shtrihet në gjithë rajonin – përveç Kosovës. Energjia është çështje strategjike dhe nuk mund të përballohet e vetme, e aq më pak duke refuzuar ndihmën e miqve ndërkombëtarë. 9 shkurti është një ditë vendimtare – jo vetëm për të ardhmen politike, por edhe për fatin energjetik të Kosovës. Është koha për të zgjedhur me mençuri dhe largpamësi” përfundon reagimin e saj kandidatja për deputete e LDK-së, Fiknete Bejta.

Reagimi i plotë:

9 shkurti – zgjedhje për fatin energjetik të Kosovës

Kosova përballet me një kolaps energjetik që kërcënon jo vetëm ekonominë, por edhe sigurinë kombëtare. Në këtë situatë të rënduar, qeveria nuk paraqet asnjë vizion dhe strategji të qartë për të ofruar një zgjidhje afatgjatë. Reduktimet e energjisë elektrike janë bërë të papërballueshme. Miq të mi nga Ferizaj dhe Gjilan më shkruajnë e më informojnë se po përballen me ndërprerje deri në 7-8 orë – pikërisht në kulmin e dimrit e temperatura të acarta. Ironikisht, kjo ndodh ndërsa shumë familje varen nga energjia elektrike për ngrohje, si rezultat i subvencioneve të vetë qeverisë për blerjen e pajisjeve ngrohëse. Edhe nata e Vitit të Ri, në shumë vendbanime të Kosovës ishte e zymtë dhe e errët pasi që u aplikuan reduktime.

Qeveria Kurti ka refuzuar vazhdimisht çdo alternativë që do të siguronte energji të qëndrueshme për qytetarët. Nga projekti i Contour Global për ndërtimin e një termocentrali të ri, deri te mundësia e ndërtimit të gazsjellësit amerikan – të gjitha janë hedhur poshtë pa një analizë të thelluar. Sot, Kosova përballet me paqëndrueshmëri energjetike për shkak të:

1. Rritjes së pandalshme të konsumit

2. Rrjetit të amortizuar të transmetimit dhe shpërndarjes

3. Termocentraleve të vjetra të KEK-ut, të cilat kalojnë më shumë kohë në remonte sesa në prodhim

4. Shtrenjtimit të energjisë në tregun ndërkombëtar pas luftës në Ukrainë

Ky deficit i theksuar dhe mungesa e përgjegjësisë nga qeveria rrezikon stabilitetin makro-ekonomik të vendit. Energjia elektrike është thelbësore për shumicën e bizneseve dhe mungesa e saj paralizon prodhimin dhe zhvillimin. Nevojitet një qeveri me vizion të qartë për rëndësinë strategjike të energjisë, në një kohë kur burimet energjetike janë epiqendra e konflikteve globale. Qasja e qeverisë në katër vitet e fundit ka treguar se refuzimi i zgjidhjeve dhe largimi nga aleatët strategjikë nuk janë përgjigja.

LDK ka ofruar alternativa konkrete, të cilat përkojnë me politikat perëndimore për të shfrytëzuar resurset e gazit amerikan, që tashmë po shtrihet në gjithë rajonin – përveç Kosovës.

Energjia është çështje strategjike dhe nuk mund të përballohet e vetme, e aq më pak duke refuzuar ndihmën e miqve ndërkombëtarë. 9 shkurti është një ditë vendimtare – jo vetëm për të ardhmen politike, por edhe për fatin energjetik të Kosovës. Është koha për të zgjedhur me mençuri dhe largpamësi.