Lajme

Bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes në gjykimin për vrasjen e 2021-ës në Mitrovicë

11/22/2024 08:15
nga:N K

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të enjten vendosi të bëhet dalja në vend të ngjarjes, në rastin ku Leotrim Selimi dhe Bejtë Hasani akuzohen për rastin e vrasjes së M.K, në vitin 2021 në Mitrovicë.

Në këtë rast, Leotrim Selimi ngarkohet për vrasje të rëndë të M.K dhe plagosje të Behar Halilit si dhe ngarkohet për armëmbajtje pa leje. Ndërsa, Bejtë Hasani po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, pasi sipas aktakuzës, me dashje kishte filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e kishte përfunduar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, seanca është hapur në sallën e gjykimit në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ku është dëgjuar ekspertja e psikiatrisë, Valbona Blakaj-Ramadani.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bejtë Hasani, avokati Skender Musa e ka pyetur eksperten se a i është parashtruar pyetje për tronditjen mendore të ekzaminuarit Hasani.

Blakaj-Ramadani tha se gjatë kohës së ekzaminimit përveç pyetjeve të tjera i ekzaminuari pyetet edhe për gjendjen emocionale, e jo për “tronditje psikike” pasi në literaturë psikologjike kjo nuk ekziston, si në atë juridike, dhe se kjo pyetje nuk i është parashtruar askujt që nga themelimi i Institutit të Psikiatrisë Forenzike.

Ekspertja tha se në ditën kritike i ekzaminuari ka qenë plotësisht i vetëdijshëm se çfarë po ndodh me të dhe rrethin.

Ajo tha se personi i cili nuk ka vetëdije të plotë, apo e ka të ngushtuar si pasojë e gjendjes emocionale të krijuar nuk mund të bëjë sjellje të koordinuara, nuk mund të bëjë veprime selektive dhe të kontrolluara, dhe se për këtë në pikën 3 është konstatuar aftësia mendore e ruajtur.

Tutje, ekspertja tha se personi i cili e ka armën ndjen siguri, dhe se për këtë arsye nuk mund të flitet për frikën që mund ta dëmtojë vetëdijën, dhe se nga ajo çfarë thotë i ekzaminuari por edhe nga vido-incizimet nuk vërehet personi duke ikur nga situata por në mënyrë shumë stabile e nxjerrë armën, e përgatitë armën, dhe gjuan horizontalisht, dhe se çdo gjë është kryer në menyrë të vetëdijshme.

Në fund, ekspertja tha se në ekpsertizë ka elemente të cilat nuk kanë konstatuar ndonjë situatë të jashtëzakonshme me të cilën do të mund të dëmtohej aftësia mendore për me i kuptu dhe kontrollu veprimet e veta.

Kurse, mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Asdren Bytyqi, e ka pyetur ekspertën se a është karakteristike që Instituti i Psikiatrisë Forenzike të nxjerrë mendime të kundërta për rrethana të ngjashme në aspektin profesional, pasi njëra ekspertizë për njërin person ka konstatuar tronditje të fortë mendore ndërsa tjetra jo.

Lidhur me këtë, ekspertja tha se për secilin rast individi vlerësohet nga komisioni i tij, dhe se secili ekspert është i pavarur në dhënien e mendimit dhe konstatimit, dhe secili mjek duhet të jetë i pandikushëm profesionalisht.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokati Musa pati vërejtje me arsyetimin se intervistimi i të pandehurit është bërë në kundërshtim me dispozitat e KPRK-së.

Avokati Musa kërkoi nga trupi gjykues që ekspertiza psikiatrike për të mbrojturin e tij t’i kthehet Institutit të Psikiatrisë Forenzike në plotësim, me arsyetimin se nuk janë marrë dokumentacionet e plota mjekësore.

Ndërsa, anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Mehmeti i kërkoi avokatit Musa që të tregoj saktë dispozitën ligjore ne bazë të të cilës pretendon se ekzaminimi i të pandehurit Hasani është i kundërligjshëm. Por, avokati Musa tha se për momentin nuk e di saktë cili nen.

Ndërsa, prokurori Njazi Rexha e kundërshtoi përpozimin e avokatit Skender Musa, dhe i kërkoi gjykatës që ta refuzojë, me arsyetimin se ekspertët kanë konstatuar në bazë të dokumentacionit që kanë poseduar dhe se sipas tij kjo është zvarritje e procedurës.

Në seancën e sotme gjyqësore si prova materiale u administruan video-incizimet nga vendi i ngjarjes.

Seanca e radhës pritet të mbahet në muajin dhjetor.

Më 8 shtator 2023, Gjykata Themelore në Mitrovicë, e kishte dënuar me dënim unik prej 21 vjet e gjashtë muaj burgim të akuzuarin Leotrim Selimi, ndërsa Bejtë Hasani u dënua me dënim unik prej 7 vjet e 6 muaj.

Mirëpo, ndaj këtij vendimi, ankesë në Gjykatën e Apelit, kishin ushtruar mbrojtësit e të akuzuarve, me ç’rast më 19 janar 2024 Apeli aprovoi ankesat dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 28 tetor 2021 kishte ngritur aktakuzë kundër Leotrim Selimit, Bejtë Hasanit, Valon Ibishit dhe Valmir Selimit.

Të akuzuarit Valon Ibishi dhe Valmir Selimi më 17 nëntor 2021 janë dënuar me nga 700 euro gjobë dhe me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muajsh (secili veç e veç), pasi pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Të akuzuarit Leutrim Selimi dhe Bejtë Hasani e kishin pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, andaj gjykata refuzoi këtë pranim fajësie dhe ndaj tyre ishte veçuar procedura.

Sipas pikës I.1 të aktakuzës, Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin M.K, ku pas një mosmarrëveshje rreth punëtorëve me pronarin e “Proper Pizza”, Albert Beqiri, vjen deri te konflikti mes grupit të “Maestros”, Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, dhe grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K.

Sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi kishte nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava” dhe kishte shtënë në viktimën dhe godet në pjesën e përparme të djathtë të kraharorit e si rezultat i plagëve të marra vdes. Tutje, në aktakuzë thuhet se predhat e goditin edhe Behar Halilin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm.

Ndërsa, në pikën I.2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava”, me një karikator, e cila i është sekuestruar nga policia.

Me këtë, sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit.

Sipas pikës II.1 të aktakuzës, Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e ka përfunduar.

Tutje në aktakuzë thuhet se pas fjalosjes mes grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K, dhe grupit të “Maestros” Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, rreth punëtorëve, nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava”, dhe shtie në drejtim të grupit të “Proper Pizza”, me këtë rast e godet Florim Sadikun dhe i shkakton dëmtime të rënda trupore, si dhe vë në rrezik jetën e personave të grupit të “Proper Pizza”.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173, par. 1, pika 1.5 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas pikës II. 2 të aktakuzës, i pandehuri Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava”, e cila i është sekuestruar nga policia.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK, e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 dhe 2 të dispozitivit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në pikën III. 1 thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, e cila është sekuestruar nga policia.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK.

Ndërsa, në pikën III.2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, duke e nxjerrë gjatë konfliktit mes grupeve dhe drejtuar M.K., Mentor Beqirit, Florim Sadikut dhe Behar Halilit.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën III/1.

Ndërsa, në pikën e fundit IV.1 të aktakuzës, i pandehuri Valmir Selimi thuhet se më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës gjysmëautomatike ‘Eibar Star”, me një karikator dhe tre fishekë, e cila është sekuestruar nga policia.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.

Ndërsa, në pikën IV. 2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valmir Selimi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese ndaj grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili, e M.K., pistoletën e markës “Eibar Star”, duke e nxjerrë dhe repetitë para lokalit.

Me këtë, sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën IV/1 të dispozitivit.