Sporti

Behari synon befasinë e madhe në Kupën e Kosovës, Çeku: Jemi shumë të motivuar, duam gjysmëfinalen

03/13/2023 13:04
nga:L J

Në mesjavë luhen ndeshjet e parë të çerekfinales së Kupës së Kosovës në futboll.

Skuadra që ka bërë befasinë deri tani është KF Behari nga Liga e Dytë, që ka arritur deri tek tetë skuadrat më të mira dhe të mërkurën ballafaqohet me Vushtrrinë, shkruan GazetaBlic Sport.

Futbollisti i KF Beharit, Haxhi Çeku ka potencuar se skuadra e tyre është motivuar maksimalisht për këtë duel dhe duan gjysmëfinalen e madhe.

“Kemi bërë përgatitje për këtë lojë dhe jemi të motivuar që të dalim fitues. Jemi gati të shkruajmë përsëri historinë që të shkojmë në gjysmëfinalen e madhe dhe dëshirojmë që kundershtar më pas t’i kemi ekipet e mëdha vendore si Ballkani, Prishtina apo Gjilani. Kupa ka befasi dhe  të papritura”, tha Çeku për ‘GazetaBlic Sport.

Kujtojmë se ndeshja mes Vushtrrisë dhe KF Beharit luhet të mërkurën me 15 mars.

/GazetaBlic Sport