Lajme

Begolli veçon Yamalin: Nëse fiton edhe Botërorin, do të jetë diçka e jashtëzakonshme

06/13/2026 10:38
nga:Mergim Rreci

Trajneri i njohur kosovar, Granit Begolli, në një intervistë për emisionin “Blic Interview” me Astrit Gashin, ka ndarë pikëpamjet e tij rreth futbollistëve që pritet të lënë gjurmë në Kupën e Botës, duke veçuar talentin spanjoll Lamine Yamal.

Sipas Begollit, Yamal është aktualisht një nga talentet më premtues të futbollit botëror dhe një nga emrat që pritet të tërheqë vëmendjen më të madhe gjatë turneut, shkruan GazetaBlic.

“Lamine Yamal është vetëm 18 vjeç dhe konsiderohet një nga talentet më të mëdhenj në futbollin botëror. Ai pritet të jetë figura kryesore e Spanjës dhe të mbajë mbi supe një pjesë të madhe të pritshmërive të kombëtares së tij. Pas triumfit në Kampionatin Evropian, nëse arrin të fitojë edhe Kupën e Botës, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për një futbollist kaq të ri”, u shpreh Begolli.

Megjithatë, trajneri kosovar theksoi se Botërori tradicionalisht ka qenë skena ku lindin yje të rinj dhe ku futbollistë më pak të njohur shfrytëzojnë mundësinë për t’u prezantuar para botës.

“Jam i bindur se do të ketë edhe talentë të tjerë që do të shpërthejnë gjatë këtij kompeticioni dhe më pas do të transferohen te klubet e mëdha evropiane. Ka lojtarë nga kombëtare si Ekuadori, por edhe nga vende të tjera, për të cilët ende nuk kemi shumë informacion. Historia ka treguar se shumë futbollistë janë bërë të njohur pikërisht falë paraqitjeve të shkëlqyera në Kupën e Botës”, tha ai.

Begolli  dha një komenbt edhe për përfaqësuesen e Zvicrës, duke vlerësuar mënyrën se si është realizuar rinovimi i kombëtares ndër vite.

“Më ka pëlqyer tranzicioni që ka bërë Zvicra. Nuk i ka zëvendësuar të gjithë futbollistët menjëherë, por ka vepruar gradualisht. Lojtarët e rinj janë integruar shumë mirë në ekip dhe janë përshtatur me liderët e skuadrës, veçanërisht me Granit Xhakën, i cili po bën një punë të jashtëzakonshme si kapiten”, deklaroi Begolli.

Në fund, ai vlerësoi se Zvicra ka potencial të mjaftueshëm për të kaluar fazën e grupeve, ndërsa suksesi i mëtejshëm do të varet në masë të madhe nga shorti dhe kundërshtarët që do të ketë përballë në fazat eliminatore.

“Zvicra është një kombëtare që ka kapacitet ta kalojë grupin. Më pas, rruga që mund të bëjë në turne varet shumë edhe nga shorti dhe përballjet që do t’i sjellë kompeticioni”, përfundoi ai.

/GazetaBlic/