Në edicionin garues 2022/23 Kosova do të paraqitet me 4 ekipe në garat evropiane.
Futbolli kosovar do të prezantohet në Champions League, Europa League dhe Conference League, ku të drejtën e pjesëmarrjes do ta kenë: kampioni, fituesi i Kupës, vendi i dytë dhe vendi i tretë në renditjen e Superligës.
Lidhur me këtë ka folur edhe ish lojtari i njohur kosovar, Granit Begolli, i cila tha se është mundësi shumë e mirë për klubet, por edhe për Superligën, pasi tani do të jetë më kompetitive.
“Një mundësi e mirë për klubet që pretendojnë Evropën e që e ben edhe ligën më interesant ku tashmë skuadrat e forta do t’i luajnë të gjitha mundësitë deri në xhiron e fundit, e kjo e bënë që të ketë më pak kalkulime duke marrë parasysh që 4 ekipe kërkojnë daljen në Evropë, 2 largohen nga liga, e një skuadër detyrohet të luajë barazhin”, tha fillimisht Granit Begolli për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai theksoi se Kosova e meriton këtë, pasi ka dëshmuar se ka cilësi në futboll.
“Sigurisht që në aspektin e lojës kemi kaluar këto skuadrat që llogariten amatere e që tash e sa vite kemi dëshmu që mund t’i mposhtim shumë lehtë, andaj kjo e bënë që ne të kemi më shumë ekipe se këto ligat që janë përfundi ligës së Kosovës në renditjen e UEFA’s. Kemi shumëçka për të përmirësuar në aspektet tjera profesionale që të arrijmë në tjeter nivel”, vazhdoi ai.
Në fund, meritat për këtë, Begolli, ia dha klubeve që janë paraqitur mirë prej pranimit në UEFA dhe FIFA.
“Meritat i kanë klubet që na kanë përfaqësuar tash e nga pranimi i Kosovës në garat ndërkombtare, tani duhet organizim më i mirëfilltë në të gjitha aspektet, përmirësimin e kushteve për futbollistët, e investimin në kategori të reja, e sidomos te shkollimi i trajnerëve që do të ndihmojë që të kemi më shumë cilësi, ne do të kemi mundësi për t’u kualifikuar në garat e Conference Leagues, por duhet të jemi 100% të përgatitur në të gjitha aspektet, e sigurisht na duhet pak fat në këto lloj garash që të arrijmë diçka të madhe”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport
Super lajm: Nga sezoni 2022/23, katër skuadra të Superligës do të marrin pjesë në garat evropiane


