Lajme

Begolli: Messi më i miri në histori, Franca dhe Spanja janë favorite kryesore në Kupën e Botës

06/12/2026 21:55
nga:Mergim Rreci

Trajneri i njohur kosovar, Granit Begolli, ka ndarë vlerësimet e tij për favoritët e Kupës së Botës, duke folur për shanset e kombëtareve kryesore, si dhe për statusin e Lionel Messit në historinë e futbollit.

Sipas Begollit, suksesi apo dështimi i Argjentinës në Botëror nuk ndryshon faktin se Lionel Messi mbetet futbollisti më i madh që ka parë ndonjëherë futbolli.

“E fitoi apo nuk e fitoi Argjentina Kupën e Botës, për mua Messi është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave dhe nuk ka debat në këtë temë”, u shpreh Begolli në emisionin ‘Blic Interview’, prodhim i GazetaBlic.

Ai vlerësoi se si Argjentina, ashtu edhe Portugalia, kanë potencial real për të ngritur trofeun më të madh në futbollin botëror.

“Argjentina vjen si kampione në fuqi dhe pa presionin që kishte në edicionin e kaluar. Në anën tjetër, Portugalia ka një gjeneratë të jashtëzakonshme futbollistësh dhe padyshim është një nga ekipet që mund të synojë trofeun”, deklaroi ai.

Megjithatë, Begolli beson se dy kombëtaret që nisen me statusin e favoritit kryesor janë Franca dhe Spanja.

“Ka shumë kombëtare të forta, si Brazili, Argjentina apo Portugalia, por Francën dhe Spanjën i shoh si dy favoritët kryesorë për ta fituar Kupën e Botës”, tha trajneri kosovar.

Duke komentuar Anglinë, Begolli u tregua skeptik për mundësitë e saj, pavarësisht cilësisë së madhe që posedon në përbërje.

“Nuk besoj se Anglia mund ta fitojë Kupën e Botës. Mënyra se si funksionon kjo kombëtare nuk më bind. Nuk mund të them se i mungon cilësia, sepse ka futbollistë të nivelit më të lartë, por kur vjen puna te sakrifica dhe lufta për fanellën, mendoj se francezët, argjentinasit dhe brazilianët e kanë atë ‘grintë’ që shpesh bën diferencën në turnetë e mëdhenj”, u shpreh ai.

Sipas Begollit, rezultatet historike të Anglisë nuk përputhen me potencialin që kjo kombëtare ka pasur ndër vite.

“Me kualitetin që ka pasur Anglia në periudha të ndryshme, sot do të duhej të flisnim për një kombëtare që të paktën do t’i kishte fituar dy Kupa Bote. Por kjo nuk ka ndodhur dhe kjo tregon se cilësia individuale nuk mjafton gjithmonë për të arritur suksesin maksimal”, përfundoi Begolli.

/GazetaBlic/