Sporti

Begolli: Kosova ‘lufton’ me Rumaninë për vendin e parë, duhen masa drastike nëse shfaqen banderola raciste ndaj vendit tonë

02/09/2024 12:49
nga:Mergim Rreci

Kosova mbrëmë mësoi kundërshtarët për ciklin kualifikues evropian në kuadër të Ligës së Kombeve.

‘Dardanët’ u caktuan të jenë në grupin e dytë të Ligës C të Kombeve aty ku do të kenë përballë kombëtare si: Rumania, Qipro dhe Litaunia/Gjibraltari.

Në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, trajneri i mirënjohur kosovar, Granit Begolli ka deklaruar se nuk duhet nënçmuar asnjë kundërshtarë, por që Kosova duhet ta fitojë grupin.

“Një short që duket i lehtë në letër, por duhet kuptuar që në futbollin modern nuk ka kombëtare që mundesh me i mposhtë lehtë. Kjo është dëshmuar edhe në kualifikueset e tjera, ku kemi pasur probleme me kombëtaret e vogla. Unë mendoj që duhet më patjetër t’i mposhtim kundërshtarët që janë më poshtë se ne në grup dhe t’i luajmë të gjitha shanset ndaj Rumanisë, që së bashku me Kosovën është favoriti kryesor për ta fituar grupin”, tha fillimisht Begolli.

“Unë pres që kësaj here të kemi një qasje tjetër, por krejt kjo do të varet nga vendosja e selektorit të ri dhe mëyrën se si ai e sheh skuadrën, por që realisht ai duhet ta kuptoj se objektiv i yni është që ta fitojmë grupin. Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë gjeneratë shumë të mirë të futbollistëve“, vazhdoi trajneri Begolli.

Tashmë është zbuluar edhe orari i ndeshjeve, me Kosovën që do të luajë ndeshjen e parë ndaj Rumanisë në ‘Fadil Vokrri’, takim ky që pritet të jetë jashtëzakonisht interesant, bazuar edhe tek ngjarjet e fundit që ndodhen në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Bukuresht, atje ku kishte banderola raciste dhe skandaloze anti-Kosovë.

Natyrisht, do të ketë edhe një ndeshje kthyese në Rumani dhe për këtë gjë, trajneri Begolli, thotë se duhet të jemi shumë të kujdesshëm se si po i trajtojmë simbolet dhe identitetin tonë.

Ndaj Rumanisë shpresoj që të mos ndodhin gjëra që kanë ndodhur në ndeshjen e fundit, sepse nëse ato përsëriten, Kosova duhet të marrë masa drastike edhe nëse penalizohemi për diçka më të madhe. Nuk mund të luajmë me identitetin e shtetit, nuk mund të përdoren gjëra të tilla në një ndeshje futbolli. Jam shumë i bindur që nëse luhet futboll, me motivin e bazuar pikërisht nga ajo ndeshje e fundit, futbollistët tanë do të marrin rezultate të mira dhe kësaj here ta fitojmë grupin. Nation League është rruga më e shkurtër për një kualifikim të mundshëm dhe këtë gjë duhet ta shfrytëzojmë“, përfundoi Begolli.

/GazetaBlic Sport/